Auto

Ghosn deklarohet publikisht për herë të parë që nga arrestimi

Foto: Reuters

Ish-shefi i Nissanit, Carlos Ghosn, ka thënë se është i pafajshëm dhe ka akuzuar ish-kolegët për sulm dhe komplot ndaj tij, në adresimin e parë publik që nga arrestimi vitin e shkuar.

Prokurorët kanë kërkuar ri-arrestimin e Ghosnit javën e shkuar pas akuzave të reja se ka përdorur fondet e kompanisë prej 5 milionë dollarësh për vete. Ish-zyrtari i lartë kishte paguar dorëzani prej 9 milionë dollarësh dhe ishte liruar për 30 ditë, gjatë së cilës periudhë incizoi një video që u shfaq të martën nga avokatët e tij.

“Ky është një konspiracion... nuk është për lakmi apo diktaturë, është komplot, konspiracion, thikë pas shpine”, ka thënë Ghosn, raporton Reuters.

Sipas tij, e gjitha nisi nga frika se do ta afronte Nissanin me partnerin, Renaultin.

“Ka pasur një frikë se hapi i ardhshëm i aleancës sa i përket lëvizjes drejt bashkimit do të kërcënonte në një mënyrë disa njerëz ose edhe autonominë e Nissanit”, ka thënë ai.