Auto

Shtyhet ardhja e Mercedes EQC në treg

Mercedes EQC në treg do të shfaqet disa muaj më vonë se sa ishte planifikuar.

SUV i parë elektrik i prodhuesit prestigjioz gjerman, i planifikuar për prodhim në pranverë dhe shitje në verë, është duke u vonuar për shkak të problemeve me prodhimin e baterive, shkruan Handelsblatt.

Vetëm disa klientë VIP do të marrin EQC e tyre në gjysmën e këtij viti, ndërsa shumica e klientëve të tjerë duhet të presin deri në nëntor.

Sipas të njëjtit burim, shkaku kryesor i vonesës është se kompania Accumotive e Daimler mund të arrijë në të njëjtën kohë nivelin e kërkuar të prodhimit të baterive për Mercedes-Benz EQC, transmeton KosovaPress.

Një vonesë prej disa muajsh nuk mund të shkaktojë shumë dëm në planet e Mercedes, por kjo do të thotë që një Audi e-Tron konkurrues do të mbërrijë në degët e shitjes përpara modelit EQC.

Përndryshe, Audi e-Tron do të arrijë në treg me një vonesë prej 4 javësh në krahasim me planin origjinal për shkak të problemeve të softuerit.

Mercedes EQC, i cili kishte premierën në vjeshtën e kaluar, përdor dy motorë elektrikë, një për secilin prej akseve. Ata së bashku kanë 407 kuaj fuqi dhe 765 Nm, dhe përshpejton prej 0-100 km/h për 5.1 sekonda.

Shpejtësia maksimale është e kufizuar në 180 km/h. Elektromotorët mbushen nga bateritë me kapacitet 80 kWh, e cila me një mbushje arrin deri në 450 km sipas matjes së ciklit NEDC.

EQC standard është i pajisur me mbushësin prej 7,4 kW, derisa me pagesë shtesë mund të merret edhe mbushësi i shpejtë, i cili instalohet në mur dhe mundëson mbushjen e baterisë prej 10 deri 80 për qind të kapacitetit për gjithsej 40 minuta.