Arbëri

I jepet lamtumira e fundit Hilmi Haradinajt

Me nderime të larta, i është dhënë lamtumira Hilmi Haradinajt.

Ai është varrosur në varrezat e Kompleksit Memorial ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gllogjan, vendlindjen e tij.

Në varrimin e tij morën pjesë shumë persona, nga vende të ndryshme.

Me këtë rast edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndau dekoratën për 10-vjetorin e pavarësisë për të ndjerin Hilmi Haradinaj.

Ai tha se me vdekjen Hilmi Haradinajt ne mbetëm pa një luftëtar dhe veteran të jashtëzakonshëm të lirisë të Kosovës.

"Bacin Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të UÇK-së, në vitin 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha njohur Luanin. Ju humbët një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm. Ne mbetëm pa një njeri me zemër të madhe. Ai nuk u dorëzua edhe përballë sfidave. Ai përballoi padrejtësitë e burgosjes së bijve të tij. Ishte njeri me vlera, burrë i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë shqiptarisë", tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se me humbjen e të atit ndjejnë dhimbje të gjithë bashkëluftëtarët.

"Sot e kemi të vështirë familja, e kemi të vështirë bashkëluftëtarët. Ndarja nga baba ynë ka shumë porosi dhe shumë ndjenja. Por ajo që është me rëndësi është se njerëzit që besojnë në të drejtën e tyre krijojnë vlera të reja", u shpreh ai.

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Hilmi Haradinajt, tha se asnjëherë nuk do të ndahet nga ai, porse do të përkushtohet që ta çojë në fund amanetin e tij.

“Sot vij për të ndarë respektin dhe dhimbjen e thellë me familjen Haradinaj. Por nuk vij të ndahem me Hilmi Haradinajn. Vij këtu me përgjegjësinë e madhe për ta çuar deri në fund amanetin e tij të qartë", u shpreh Basha.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Hilmi Haradinaj do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar, si një njeri fjalëpak dhe shumë i madh.