Arbëri

Korrupsioni, barrierë për bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu ka thënë se si OEK një ndër barrierat kyçe është ekonomia informale, furnizimi me energjie elektrike, kostoja e lartë energjisë elektrike, kamatat e larta dhe burokracia.

Kështu është thënë në konferencën e Odës Ekonomike të Kosovës lidhur me dialogun dhe ambientin e të bërit biznes-politikat fiskale.

“Sfida në pesë vitet e ardhshme do të jetë mungesa e punëtorëve të kualifikuar bazuar në profilin e sektorit privat, po ashtu sfidë është edhe korrupsioni. Këto barriera janë tek të gjitha bizneset kosovare”, ka thënë Gerxhaliu.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë bartës i zhvillimit ekonomik është sektori privat, andaj për të pasur një shtet të zhvilluar duhet të krijohen biznese të zhvilluara. Sepse sipas tij në këtë sektor ka investime dhe të punësuar në numër më të madh.

“Ne kemi krijuar mekanizma për zvogëlimin e informalitetit sepse është i dëmshëm për bizneset e ndershme”, tha Hamza, duke shtuar se barrierat për furnizim të energjisë dihen, ndërsa kamatat kanë shënuar rënie, transmeton kp.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për dërgesat nga diaspora, i cili tha se remitencat po shënojnë ngritje në vazhdimësi.

Ai po ashtu paralajmëroi se do të krijohen ligje brenda këtij viti për reformën fiskale për bizneset.

Në këtë konferencë transportuesit rrugor ndërkombëtar kërkuan të lirohen nga TVSh-ja. Ruzhdi Kurtishaj kryetar i shoqatës së transportit të udhëtarëve, ka ngritur shqetësim për ligjin e TVSh-së dhe këto politika fiskale të rregullohen sikur në vendet e rajonit, ngase sipas tij, është jo i favorshëm për transportuesit.