Arbëri

Qeveria: S’guxojmë të lejojmë që opozitarizmi të na shndërrojë në mjete ruse

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u përshkuan me probleme të mëdha, ku u raportua edhe për një tentim-vrasje të ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq. E gjithë kjo iu atribuua Rusisë dhe tentimeve të saja për të shtruar kontrollin e saj në këtë rajon.

Për këtë çështje ka raportuar dje edhe prestigjiozja britanike, “The Telegraph”, në shkrimin e saj të djeshëm të titulluar “Historia e plotë e pabesueshme e komplotit vdekjeprurës të Rusisë për të ndaluar Malin e Zi që ta përqafojë Perëndimin”.

Për këtë çështje janë deklaruar edhe zyrtarë qeveritarë të Kosovës, në mesin e të cilëve Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Bajram Gecaj, zëvendësministër i Pushtetit Lokal.

Abrashi, në postimin e tij në Facebook, ka thënë se plane të tilla ruse “me siguri se ka pasur edhe për Kosovën” derisa, siç thotë ai, forca politike në Kosovë “me apo pa vetëdije kanë kontribuuar për skenarë të tillë”.

“The Telegraph, shkruan për skenarin e pengimit me dhunë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, për puçin e planifikuar në Kuvendin e Malit të Zi dhe vrasjen e planifikuar të Kryeministrit Gjukanoviq. Me siguri se plane të tilla ka pas edhe për Kosovën, derisa forca politike në Kosovë me apo pa vetëdije kanë përkrahur, apo kontribuar për, skenarë të tillë”, ka shkruar Abrashi.

Ndërkaq Gecaj, mundësinë e shndërrimit të Kosovës në, siç thotë ai, “mjete ruse”, e sheh tek veprimet e opozitës në vend.

“Mos të lejojmë që opozitarizmi të na shndërrojë në mjete ruse”, thotë zëvendësministri Gecaj.

“Në konstelacionet e reja dhe mjaft të komplikuara të gërshetimeve të interesave globale, Kosova duhet me çdo kusht mos të çaloi dhe mos të ketë çfarëdo hezitimesh, por të eci sigurt rrugës tanimë të trasuar mirë drejt integrimeve evro-atlantike. Involvimi (infiltrimi) i Rusisë në këtë rajon, si në Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinë, por edhe në vendet tjera përreth, nuk është një sihariq i mirë por është sinjal i qartë dhe mjaft serioz, dhe një alarm se në çështjet e interesit nacional duhet të jemi më të kujdesshëm se kurrë më parë”, shkruan më tej zyrtari qeveritar që vjen nga radhët e LDK-së.

Zëvendësministri Gecaj thotë se Kosova nuk guxon assesi të luajë lojën e “dreqit” dhe ma apo pa vetëdije të përmbysim gjithë atë të cilën e kemi arritur deri më tani me aq shumë mund, djersë e gjak.

“Dhuna e përdorur këto dy vitet e fundit tek ne, dhe tanimë e paralajmëruar edhe për ditët në vijim, i hyn më së miri në punë mu kësaj strategjie destabilizuese ruse në rajon. Në fund të fundit, nuk do të jetë aspak e rëndësishme nëse Rusia në Kosovë vërtetë të ketë përdorur një qasje më të butë të involvimit, krahasuar me sulmin agresiv në Malin e Zi. Nuk do të jetë gjithashtu fare e rëndësishme nëse për këtë dikush tek ne të jetë paguar të destabilizojë, apo pa qellim të jetë shndërruar në mjet të politikave hegjemoniste anti-kosovare. E rëndësishme do të jetë mos të lejojmë assesi të hyjmë në vorbullën e “dreqit”! Prandaj, populli i Kosovës nuk guxon të bie pre e askujt që me apo pa qëllim të na orientojë drejt rrënimit dhe vetëshkatërrimit”, ka përfunduar Gecaj.