Arbëri

Kritikohet praktika e mbledhjeve me dyer të mbyllura të komisioneve parlamentare

Komisioni parlamentar për stabilizim-asociim nuk e ka lejuar praninë e mediave në mbledhjen ku në rend dite ka qenë raportimi i ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala. Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, për mbledhjen thuhej që mediet mund të marrin pamje në fillim të mbledhjes, ndërsa pas përfundimit të saj do të ketë deklaratë për media.

Vendimi për mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të opozitës dhe përfaqësuesve të gazetarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Anëtarja e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, pas takimit ka thënë se pushteti nuk po do që qytetarët të informohen për dështimet e tij. Sipas saj, përjashtimi i mediave është në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit.

“Duke marrë parasysh që ju përjashtuan nga takimi i komisionit, që është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, me nenin 65 të saj, ndiej obligim që edhe njëherë të kundërshtojmë këtë mbyllje të komisioneve, e cila mund të ndodh vetëm në raste se kemi të bëjmë me ndonjë siguri nacionale, ose çështje të tjera të rëndësishme, por jo në këtë rast që kemi të bëjmë me çështje të cilat lidhen me raportimin e një ministri për zbatimin e MSA-së”, është shprehur Kadaj-Bujupi.

Me këtë qasje, sipas saj, pamundësohet dëgjimi i zërit të deputetëve të opozitës kur ata ngrenë çështje me të cilat e ballafaqojnë Qeverinë.

“Kjo qasje dhe mbyllje për media dëshmon edhe njëherë se ky pushtet nuk dëshiron dhe nuk lejon që opinioni përmes mediave të informohet për punën, respektivisht në rastet konkrete për mospunën dhe dështimin e ministrive përkatëse në zbatimin e MSA-së”, ka theksuar Kadaj- Bujupi, për të shtuar se ekziston një përpjekje që të evitohen çfarëdo ballafaqimi mes pozitës dhe opozitës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.