Arbëri

Surroi: Vuçiq, ministër kur Serbia vriste fëmijët dyvjeçarë në Kosovë, tash president i saj

Descriptive Text

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, në profilin e vet të Facebookut, ka bërë paralele ndërmjet Aleksandar Vuçiqit, ish-ministër i Informatave të Serbisë dhe tash president i këtij vendi.

Ai ka përkujtuar një masakër tragjike të shtetit serb në Gjakovë më 2 prill të vitit 1999 dhe ka përmendur 2 prillin e vitit 2017, kur Vuçiq, dje, u zgjodh president i Serbisë, transmeton Koha.net.

Surroi ka shkruar se më 2 prill të vitit 1999, në Gjakovës, nga forcat e shtetit serb, u vranë 13 fëmijë shqiptarë nga mosha dy deri në moshën 14 vjeçe dhe ka konstatuar se në atë kohë dhe në atë ditë ai ka qenë ministër i Informatave i Serbisë.

Ky është postimi i Surroit:

Më 2 prill të vitit 2017 Aleksandar Vuçiq u zgjodh president i Serbisë.

Më 2 prill të vitit 1999 Aleksandar Vuçiq ishte Ministër i informatave të Republikës së Serbisë. Atë ditë në Gjakovë , nga ana e forcave të shtetit Ministër i të cilit ishte Aleksandar Vuçiq u vranë këta fëmijë :

Rita Vejsa (2 vjeçe), Diona Caka (2 ), Rina Haxhiavdija (3), Arlind Vejsa (5 ), Egzon Haxhiavdija (5), Argjend Demjaha (6) , Sihana Vejsa (7), Delvina Caka (8), Dorentina Haxhiavdija (8), Marigona Vejsa (9), Dorina Vejsa (12), Tringa Vejsa (13), Dalina Caka (14).

Fëmijët u vranë nga shteti i cili thoshte se Kosova është Serbi. Në atë shtet Aleksandar Vuçiqi ishte ministër më 1999 , u bë president më 2017.

Rita Vejsa dhe Diona Caka sivjet do t'i mbushnin 20.