Gazmend Luboteni, kryetar i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka dhënë arsyet pse ky bord vendosi të mos ankohet në vendimin e Regjistrit Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) pas përjashtimit që iu bë në shkurt.
Ai ka thënë se Kosova kërkon riregjistrim në EQAR për dy arsye kryesore.
Në “Express Intervistën” në KTV, ai ka thënë se ankesa nuk do të kishte bazë dhe se do të merrte shumë kohë e në fund rezultati nuk do të ishte pozitiv për Kosovën.
“Ne paraprakisht kemi analizuar gjitha rrethanat e largimit të Kosovës dhe nuk kemi bërë ankesë për disa arsye. E para sepse merr shumë kohë sepse duhet të shqyrtohet nga institucioni përkatës dhe të analizohen të gjitha arsyet pse ka ndodhur ankesa. E dyta është se ankesa parashihet vetëm në rastet kur ka shkelje procedurale gjatë marrjes së vendimit të EQAR-it, që në fakt pas analizave që kemi bërë kemi kuptuar se nuk ka pasur shkelje”, ka thënë ai. “Në fund të këtij procesi prapë nuk do të kishte tërheqje të vendimit”.
Sipas Lubotenit, EQAR-i ka dhënë sinjale se do të shqyrtojë sa më shpejtë që të mundet kërkesën e Kosovës për riregjistrim. Për këtë procedurë ka thënë se tash EQAR-i do të emërojë një ekip ekspertësh që do të vizitojë Kosovën për të bërë vlerësimin e AKA-së.
Luboteni ka thënë se bordi i ri nuk do të lejojë kurrfarë ndërhyrje politike.
“Unë jam optimist se nuk do të ketë ndërhyrje politike. Ekipi i krijuar është ekip i mirë i ekspertëve. Jemi shumë të pavarur dhe të interesuar të punojmë sipas kritereve e standardeve”, është shprehur ai, kur është pyetur për letrën e ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, që kishte kërkuar nga ushtruesi i detyrës Bekim Samadraxha që të rishqyrtohej vendimi i bordit paraprak për pezullimin e programeve të kolegjit privat ISPE.
Luboteni është zotuar se ky bord do të marrë vendime për programet e kolegjeve, vetëm në bazë të standardeve evropiane. Ka thënë se nëse shohin ndërhyrje politike, janë të obliguar të raportojnë në EQAR.
Sa i përket shqyrtimit të programeve të pezulluara, ai ka thënë se bordi do t’i shqyrtojë ato sa më shpejtë që të mundet, para nisjes së vitit të ri akademik.
-
23 maj 2018 19:44
-
Shpërndaje në: