Edhe një manovër i presidentit Thaçi për formimin e Ushtrisë së Kosovës, duke e zhvendosur vëmendjen e diplomatëve dhe të Serbisë nga qëllimi i tij i vërtetë do të bëhet me krijimin e një Force Ferialiste për Republikën e Kosovës.
Kështu kanë bërë të ditur për “Kohën Ditore” burime nga Presidenca, shumë të afërta me presidentin Thaçi, të cilat kanë konfirmuar se vendimi për transformimin e FSK-së në Forcë të Ferialistëve të Republikës së Kosovës (FFRK) tashmë është marrë, dhe do hyjë në fuqi të dielën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në kohën kur të gjithë do jenë të zënë me përcjelljen e zgjedhjeve të Serbisë, ne do ta formalizojmë krijimin e Forcës së Ferialistëve, duke e transformuar FSK-në në FFRK. Kështu, sigurisht se do ta vëmë para aktit të kryer edhe Beogradin, edhe atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që në esencë punon kundër interesave të Kosovës”, ka thënë një këshilltar i presidentit, me kusht anonimiteti.
Ai ka thënë se e gjithë loja me gjoja transformimin e FSK-së në ushtri është bërë për të zhvendosur vëmendjen e diplomatëve dhe Beogradit, por edhe opozitarëve kosovarë, e në disa raste edhe të pjesëve të Qeverisë së Kosovës. “Është dashur ta shpikim një kauzë, e cila do t’ua tërheqë vëmendjen të gjithëve, ashtu që të mundë të ecim përpara pa pengesa në projektin strategjik me rëndësi kulmore që është krijimi i Forcës së Ferialistëve. Ia kemi arritur qëllimit, dhe frytet e punës sonë do të shihen qysh nesër. Rruga për formimin e Ushtrisë tanimë është shkurtuar dukshëm”, tha këshilltari.
Një informatë e tillë është konfirmuar shkurt edhe nga një postim i vetë Presidentit Thaçi, në Facebook, ku ai jep lajmin për krijimin e Forcës së Ferialistëve.
“Urime Kosovë. Urime, urime, urime. Kam marrë edhe një vendim historik. Pas shumë përpjekjesh, kam arritur të realizojë projektin e krijimit të Forcës së Ferialistëve të Republikës së Kosovës. Një Forcë e domosdoshme që konfirmon fuqishum sovranitetin e vendit tonë. Një Forcë që demanton edhe zërat defetistë kundër Republikës sonë. Një Forcë që konfirmon të gjitha sukseset që kam arritur gjatë viteve. Pas fitores në luftë, dhe shpalljes së shtetit, erdhi radha ta realizojë edhe premtimin tim sekret, që e kam ba para popullit, se do ta krijoj edhe Forcën Ferialiste. Urime! E Gëzofshi!!! HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Postimi është hequr shkurt pasi është publikuar.
Gazeta nuk ka arritur të konfirmojë zyrtarisht informatën nga burime të tjera institucionale.
Qeveri ka thënë se nuk di asgjë për këtë iniciativë, por e ka përkrahur në parim si ide shumë të mirë.
“Siç e dini, ne punojmë vazhdimisht në ndërtimin e institucioneve tona. Kjo është detyrë dhe obligim që e kemi marrë nga vota e popullit. Do të vazhdojmë me këtë temp, duke u kujdesur që të ruajmë edhe raportet pozitive me miqtë tanë. Për iniciativën që po pyesni, nuk mund të them diçka, sepse është një proces që ende nuk është hapur. Ne do presim informata nga Presidenca, por gjithsesi se jemi në favor të forcimit të shtetit dhe sovranitetit tonë”, ka thënë shkurt kryeministri Isa Mustafa, duke iu përgjigjur gazetës pas takimit me degën e 5-të të LDK-së në Prishtinë.
Një burim nga Kryeministria ka thënë se Presidenca ende nuk ka dhënë asnjë informatë për çështjen Forcës së Ferialistëve dhe dyshojnë se e gjitha është pjesë e lojës së PDK-së për të marrë nën kontroll Ferialistët.
“Kemi dyshimet tona se prapa kësaj fshihet intenca e PDK-së që të marrë nën kontroll Ferialistët, dhe atë jo pse PDK-ja ka synim me ndërtu një Forcë të fuqishme, por për shkak të vlerës monetare që kanë aktivitetet ferialiste. Sidoqoftë, ata nuk mund ta anashkalojnë kryeministrin”, ka thënë një burim i afërt me kryeministrin Mustafa, duke lënë të kuptohet se LDK-ja nuk është e painformuar dhe se ata tashmë i kanë marrë masat e duhura për të mos lejuar që Ferliastët të bien tërësisht në dorë të PDK-së. “Kemi agjencitë tona, si ato turistike ashtu edhe këto të sigurimeve, që tashmë e kanë hartuar planin se në cilat vende do të dërgohen Ferialistët kosovarë, ashtu që së paku gjysma e vlerës së projekteve të mbetet te ne, dhe jo t’i marrë PDK-ja të gjitha”, tha burimi.
Bëhet fjalë për aktivitetin qenësor të Ferialistëve – dërgimin e pjesëtarëve të vet në pushime verore e dimërore, si dhe në pushime të tjera sezonale, në festa shtetërore, festa të komuniteteve, pushime mjekësore, vizita studimore.
Ekspertët kanë llogaritur se një Forcë Ferialiste e aktivizuar plotësisht në Kosovë do të mundë të llogarisë në të hyra buxhetore prej 300 deri në 400 milionë euro, marrë parasysh se me vendimin e përgatitur e gjithë administrata publike, si dhe anëtarët e partive në pushtet do të kenë qasje në udhëtimet e paguara përmes Ferialistëve.
Në anën tjetër, raportohet se përgatitja e krijimit të Forcës Ferialiste të Republikës së Kosovës është pritur me frikë nga Qeveria e Serbisë, e cila tashmë u ka shkruar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për t’i paralajmëruar se e gjithë kjo ka të bëjë me “planin djallëzor të shqiptarëve që ta pushtojnë gjithë bregdetin evropian, prej Adriatikut, deri në Mesdhe, edhe më larg”.
“Terroristët shqiptarë do të vërshojnë plazhet e Juaja, do të ngufasin hotelet tuaja, nuk do lënë restorant pa ngrënë mëngjes, drekë e darkë, do të ngufasin muzetë tuaja dhe do t’ua zbrazin shitoret me mallra ekskluzive”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiq, në letrën dërguar shteteve të BE-së përmes zyrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini. “Koha Ditore” posedon një kopje të kësaj letre, ku në fund tërhiqet vërejtja edhe se “krijimi i një Force Ferialiste të të ashtuquajturës Kosovë rrezikon gjithë dialogun, meqë Serbia nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë një provokimi të tillë”.
Nga BE-ja nuk ka pasur reagim të menjëhershëm, por zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, ka thënë se në parim Brukseli pret nga palët në dialog të ndërmarrin veprime vetëm në kuadër të kornizave që janë dakorduar.
“Nuk e dimë pse linja telefonike emergjente, e vendosur para dy muajsh ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, nuk përdoret për këso rastesh. Thellë besojmë se përdorimi i këtyre telefonave të kuq do të shmangte shumë nga keqkuptimet që po lindin pothuaj për çdo ditë në relacionin Prishtinë - Beograd”, ka thënë Kocijançiq.
Nga Washingtoni nuk ka pasur reagime direkte, por Ambasada Amerikane në Prishtinë, e pyetur nga gazeta të komentojë çështjen e Ferialistëve, është përgjigjur shkurt: “Ne thellë besojmë se Kosova ka nevojë për Forcë Ferialiste. Megjithatë, siç e kemi thënë në të gjitha komunikimet tona relevante, jemi të mendimit se një hap i tillë duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, dhe në koordinim me të gjitha bashkësitë e vendit”.
Ndërkohë, reagime të vakëta ka pasur edhe nga opozita kosovare, e cila duket se është gjetur e papërgatitur me iniciativën e re.
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se pas dështimit të ushtrisë e ka zor t’i besojë sërish Thaçit. “Asnjë premtim që e ka dhanë ky nuk e ka përmbushur. Si t’i besohet tani?”, ka thënë shkurt Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe Pal Lekaj i AAK-së u shfaq i rezervuar. “Sapo bisedova me Ramushin, dhe ai tha përkrahni çka do që të propozohet, por qëndroni të paluhatur rreth demarkacionit. E Thaçit mos i zini besë më”, tha Lekaj.
Derisa Konjufca dhe Lekaj flisnin, pranë gazetarëve kaloi kryetari i Kuvendit dhe njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, por ai refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve rreth Ferialistëve. “Uikend të këndshëm kush nuk rrin kty. E për ata që rrijnë kty, mos ju paqa borxh”, tha Veseli, dhe me buzëqeshje u nis për turneun e radhës nëpër Kosovë.
Aprilililili!