Arbëri

Zhvendoset dogana në “Glloboçicë” për shkak të bllokimit të rrugës Kaçanik - Hani i Elezit

Descriptive Text

Në vazhdën e zhvillimeve pas ndalimit të qarkullimit rrugor në N 2, segmenti Kaçanik - Hani i Elezit, në koordinim të plotë me ministritë e linjës, Ministria e Financave e Kosovës ka marrë vendim që të zhvendosen përkohësisht dogana në pikën kufitare “Glloboçicë”, kjo për faktin që të mos krijohen kolona dhe pritje të gjata për transportuesit e mallrave dhe qytetarëve.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha të ketë biseduar sot me Ministrin për Transport dhe Lidhje të Maqedonisë, Goran Sugareski, me të cilin tha se mbeti e hapur mundësia e një takimi për të qenë sa më të koordinuar në të dyja anët e kufirit.

“Kemi biseduar me ambasadorët, atë të Maqedonisë në Kosovë dhe të Kosovës në Maqedoni, për të qenë në koordinim të plotë dy vendet tona, në mënyrë që kjo situatë e përkohshme të menaxhohet sa ma mirë të jetë e mundur”, tha Lekaj.

Ministri tha se për çdo zhvillim do të jemi bashkë në krye të detyrës më gjitha kapacitetet tona ministrore që të tejkalohet kjo situatë, aspak e dëshirueshme, por më se e nevojshme për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.