Arbëri

Deda: Demarkacioni zgjidhet vetëm me konsensus

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi mund të zgjidhet vetëm përmes konsensusit.

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së ai ka thënë se nuk pret që demarkacioni të vjen në javën tjetër në Kuvend.

“Nuk mendoj se demarkacioni në javën tjetër vjen në Kuvend. Demarkacioni nuk mund të vijë në Kuvend pa konsensus që të ecim përpara për ta ratifikuar. Kemi mundur të negociojmë me Malin e Zi dy herë, kurse ndërmjet veti shumë herë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se liderët politikë në Kosovë nuk kanë qenë të gatshëm që të ulen në tavolinë së bashku për ta përfunduar këtë çështje.

“Pesë njerëz në Kosovë nuk janë të gatshëm të ulen në tavolinë për të arritur marrëveshjen për demarkacionin. SHBA-të kanë qëndrimin e tyre të qartë. Ata mendojnë se duhet të votohet kjo formë”, ka thënë ai.

Deda më tutje ka thënë se, “mund të vonohemi edhe 22 muaj të tjera për të bërë zgjidhjen e kësaj çështje, nëse nuk ndërmerren hapat konkret”.

Deda ka thënë se të gjithë humbin duke e zgjatur çështjen e demarkacionit, ndërsa ka theksuar se nuk do të ketë liberalizim për qytetarët për aq kohë sa nuk zgjidhet demarkacioni.

“Në shtator ose tetor kemi mundur me u marr vesh që partitë politike të pajtohen të zhbllokojnë disa procese. Të gjithë humbim duke e zgjatë demarkacionin. Edhe Mali i Zi ka qenë i gatshëm të diskutohet. Qeveria është inerte dhe nuk merr asnjë hap për me zgjidh problemin. Derisa të zgjidhim çështjen e demarkacionit s’do të ketë liberalizim për qytetarët. Nëse ndodhë refuzimi në Kuvend e vetmja rrugë është arbitrazhi”, ka thënë Deda.

Deda më tutje ka thënë se zgjedhjet nuk e sjellin zgjidhjen e demarkacionit, pasi sipas tij përsëri janë akterët e njëjtë.

“Duhet të merremi vesh se cilat janë mundësitë tona. Unë nuk e di se çfarë mendon Mali i Zi por Qeveria e di. Nuk duhet ë shkojë vendi në zgjedhje. Nëpërmjet zgjedhjeve nuk do të zgjidhet demarkacioni, pasi janë akterët e njëjtë. Askush nuk e ka garanton se opozita do të vijë në pushtet. Sivjet mund ta kryejmë demarkacionin dhe të marrim liberalizimin”, është shprehur Deda.