Arbëri

Daja i policit të zhdukur, i pakënaqur me operacionin e kërkim-shpëtimit

Për Njazi Behlulin ende është e pabesueshme zhdukja e nipit të tij, Armendit.

Behluli, që është daja i Armendit, të hënën kishte dalë në kërkim të trupit të tij buzë lumit Lepenc.

Ai me shumë vëmendje ka vëzhguar ekipet e shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë tërë kohës sa kjo forcë zhvillonte operacionin e kërkimit.

“Jemi pak të pakënaqur me këtë hulumtim. Unë them se ose na i gllabëroi lumi ose na i mori mali – në këto dy vende mund të jenë. Na ka prekur shpirtërisht kjo ngjarje. Na dhimbset Armendi se e kemi familjar, por edhe ai tjetri i dhimbset dikujt. Armendi ka qenë shumë djalë i mirë”, ka thënë Behluli.

FSK-ja të hënën ka kryer kërkimin deri në zonën kufitare me Maqedoninë, rreth 7 km larg nga vendi i aksidentit.

Rreth dy orë zhytësit kanë kërkuar në këtë zonë, por nuk kanë hasur në asnjë gjurmë.

Nën këto dy ura nuk ka qartësi të mirë dhe kërkimet do të vazhdojnë edhe të mërkurën.

Ndërkohë operacioni i kërkimit për dy trupat e policëve të zhdukur është kryer edhe në anën tjetër të kufirit nga ekipet e shpëtimit të Maqedonisë, por pa ndonjë rezultat.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka thënë se janë në koordinim të plotë me autoritetet e shtetit maqedon.

Në vendin ku janë zhvilluar kërkimet të hënën ka qëndruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, por nuk ka dhënë informacione për zhvillimin e hetimeve.

Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

Të shtunën në mbrëmje, pas aksidentit në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, dy policë janë zhdukur pas rënies me veturë në lumin Lepenc.