Veseli proklamonte transparencën, por pyetjet e gazetarëve në konferenca s’i ka për qejfi

30 mars 2017 19:27

Prej se u shfaq publikisht në skenën politike, Kadri Veseli proklamoi transparencën, por pyetjet e gazetarëve nuk janë të mirëpritura asnjëherë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Është hera e dytë brenda pak kohësh qëkur kryetari i PDK-së, Veseli, thirr konferencë për media, por gazetarët aty e kanë rolin vetëm të spektatorit, sepse ai flet çka të dojë dhe largohet pa pranuar pyetje, raporton KTV.

Në paraqitjen e tij para mediave, sërish foli se është për t’i dëgjuar të gjithë, derisa në fund të fjalimit të tij nuk priti të dëgjojë pyetjet e gazetarëve.

Kjo sjellje e Veselit i nervozoi gazetarët e pranishëm, të cilët thonë se përfaqësuesit e partive shpesh thirrin konferencë për media, duke mos treguar për temën dhe flasin çfarë të duan.

Gazetarët thonë se në të ardhmen do ta praktikojnë që të bojkotojnë tërësisht konferencat e tilla, ku nuk lejohen pyetjet.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është kundër kësaj qasjeje të liderëve ndaj mediave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme