Arbëri

Brenda Kosovës më nuk do të përdoret fusnota për Republikën

70 votat e deputetëve të Kuvendit nuk mjaftuan që të ratifikohet marrëveshja për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të marrë votat e duhura të deputetëve.

E përveç se nuk mori votat e duhura, kjo marrëveshje nxiti debat të ashpër mes deputetëve. Kjo meqë marrëveshja Kosovës i referohej me fusnotë.

Derisa ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po bënte të pamundurën që t’i bindte deputetët, Vetëvendosje doli me një propozim.

E pasi projektligji nuk arriti të kalojë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, kërkoi pauzë 15 minutëshe për t’i harmonizuar qëndrimet me të gjitha partitë për miratimin e deklaratës së kërkuar nga opozita.Me këtë deklaratë, Kuvendi i Kosovës e njeh Kosovën vetëm në bazë të emrit të saj kushtetues si Republikë e Kosovës.

Si rrallëherë, pushtet e opozitë u bënë bashkë, duke bërë që kësaj here kjo deklaratë të marrë 80 vota për, 5 kundër dhe asnjë abstenim. Si rezultat i këtij harmonizimi, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor mori 89 vota për, 2 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa me propozim të kryetarit të Komisionit për Arsim, Nait Hasani, Kuvendi vendosi të tërheqë Projektligjin për Arsimin e Lartë, për shkak të nevojës për ndryshime.