Prokuroria e Shtetit vjet ka zgjidhur më shumë raste se sa që ka pranuar

29 mars 2017 19:17

Shumë suksese ka prezantuar Prokuroria e Shtetit në raportin e vet të punës për vitin 2016, raporton KTV.

Para anëtarëve të Këshillit Prokurorial është bërë publik raporti i punës, sipas të cilit prokurorët në shumicën e departamenteve kanë arritur të zgjidhin më shumë raste sesa kanë pranuar.

Kjo për shkak se ende sfidë vazhdon të mbetet numri i madh i lëndëve të pazgjidhura nga vitet e kaluara. Kështu, 171 prokurorë kanë pranuar 27 mijë e 084 kallëzime penale, derisa kanë zgjidhur 30 mijë e 680 raste ose 3 mijë e 596 më shumë se që janë pranuar.

Raste të korrupsionit, ku përfshihen zyrtarë të lartë, sipas raportit, janë shenjëzuar 35 të tilla, që janë edhe një nga kushtet për liberalizim të vizave.

Prej tyre, janë ngritur 26 aktakuza në 2016. Problemin më të madh, Prokuroria e ka pasur me lëndë të krimeve të luftës, të cilat deri së fundmi kanë qenë kompetencë e EULEX-it.

Nga 359 lëndë që kanë kaluar nga prokurorë të EULEX-it tek ata vendorë, janë zgjidhur vetëm 33 raste dhe vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura, 326 raste. Raporti i Punës i Prokurorisë së Shtetit është miratuar nga anëtarët e KPK-së me disa vërejtje të vogla.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme