Arbëri

“Pa njohje të ndërsjellë, s’do të ketë fluturime Kosovë – Serbi”

Për serbët, linja ajrore Prishtinë-Beograd është punë e kryer, bazuar në marrëveshjen mes dy shteteve në Bruksel. Kështu ka thënë deputeti Bojan Mitiq, i cili ka kërkuar sqarim nga drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Driton Gjonbalaj, se përse po vonohet funksionalizimi i kësaj linje, raporton KTV.

Por Gjonbalaj theksoi se ai nuk është në dijeni për këtë marrëveshje, megjithatë ka një pajtim në parim, por që pa u hapur korridori ajror, i cili nënkupton njohjen paraprake të shteteve, nuk do të ketë fluturim mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjonbalaj tha se Serbia është përpjekur ta marrë nën kompetencën e kontrollit ajror të Kosovës, por kjo temë asnjëherë nuk është trajtuar nga autoriteti i aviacionit civil, sepse është e pamundur të ndodhë një gjë e tillë.

Kontrolli ajror mbetet kompetencë e KFOR-it, ndërsa Kosova po përgatitet për të marrë kompetencat në navigimin ajror, për të cilin janë ndarë 35 milionë euro.

Gjonbalaj tha se aeroporti i Gjakovës është i gatshëm për operim, aeroporti i Dumoshit duhet t’i kthehet pronarit të ligjshëm, që është Federata e Aeronautikës.