Arbëri

Raport i KTV-së për bllokimin e rrugëve në Kosovë

Megjithëse Aleksandër Vuçiq e anuloi vizitën e tij për fushatë në Leposaviq, bllokim rrugësh ka pasur edhe për serbët e Kosovës që kanë tentuar të shkojnë atje, raporton KTV.

Në disa lokacione në mbarë vendin ka pasur protesta të tilla, që kanë përfunduar pa incidente.

Protestuesit, të prirë nga veteranë të UÇK-së në Gjilan e aktivistë të Vetëvendosjes në këtë qytet, kanë kundërshtuar fushatën zgjedhore të shtetit të Serbisë në Kosovë dhe nuk kanë lejuar qarkullimin e autobusëve me serbë që kishin mësyrë veriun.

Serbët janë shprehur të frikësuar e të shqetësuar me atë që e kanë quajtur presion, që sipas tyre, ka filluar me fushatën zgjedhore në Serbi.

Megjithatë, veteranët e UÇK-së në Gjilan nuk pranojnë se kishin qëllim të pengonin autobusët, por vetëm kundërshtonin fushatën zgjedhore në Kosovë.

Por, qëllimi ishte moslejimi i qarkullimit të autobusëve me serbë, bën të ditur Policia e Kosovës.

Protestë e ngjashme është zhvilluar edhe në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë dhe në fshatrat Hoçë e madhe e Rahovecit dhe Padalishtë të Komunës së Istogut.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk ka pasur incidente dhe se disa prej autobusëve ishin kthyer në lokacionet ku banojnë, e disa të tjerë pa probleme kanë vazhduar drejt Leposaviqit.