Arbëri

KMDLNj kundër parapagimit të RTK –së përmes faturës së rrymës

Për shkak se Radio Televizioni i Kosovës nuk ka gjetur mënyrë përkatëse afatgjate të financimit, përveç mjeteve që i ndanë Kuvendi i Kosovës , është shqyrtuar mundësia që mjetet e nevojshme të sigurohen përmes parapagimit mujor e që do të realizohej duke e ngarkuar edhe më shumë faturën e rrymës, e cila për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, thekson KMDLNJ në një reagim të saj, përmes të cilit rikujton se qytetarët për vite të tëra janë plaçkitur duke e paguar energjinë elektrike për serbët e veriut e që deri me tani, përkundër zotimeve , nuk janë kompensuar.

Sigurimi i buxhetit përmes parapagimit detyrues është zbatuar para luftës në Kosovë , në kohën kur RTP ka qenë transmetuesi i vetëm publik dhe nuk ka pasur mundësi të tjera për informim përveç RTP-së. Qytetarët i kanë deklaruar KMDLNj-së se ngarkimi i tyre me parapagim për financim të RTK-së është i padrejtë dhe ngarkim i dyfishtë, indirekt dhe direkt. Mënyra indirekte është përmes Buxhetit të Kosovës (taksat e qytetarëve të Kosovës) dhe direkte , përmes parapagimit duke u fryrë faturat e rrymës , për nevoja të RTK-së.

Qytetarët e Kosovës , në tregun informativ kanë mundësi të përcaktohen për alternativa tjera që sipas tyre ofrojnë programe më të mira dhe për çka paguajnë detyrime në baza mujore. Në pakon e ofertave të transmetuesve kabllovike , për të cilat paguhen shërbimet është mundësia që të përcillet edhe RTK , për ata që kanë interesim andaj nuk është e drejtë , është e palogjikshme, kundër të drejtave të konsumatorit , si njëra ndër të drejtat e njeriut që qytetarët të detyrohen ta paguajnë parapagimin për RTK-në , kundër vullnetit të tyre .

Eshtë krejtësisht normale dhe e drejtë që qytetarët të përcaktohen se cilën ofertë informative- mediale e përkrahin dhe për këtë e paguajnë parapagimin mujorë apo vjetor. Nëse vendoset që RTK të sigurojë mjete financiare përmes detyrimit të paguajnë prapagimin si ngarkesë shtesë e faturave të rrymës , kjo do të paraqiste futje të dhunshme e duarve të RTK-së në xhepat e qytetarit, do të ishte e kundërligjshme , e dënueshme dhe lehtësisht ( sigurisht) do të rrëzohej në Gjykatën Kushtetuese.

RTK nuk menaxhohet si duhet , ka mbipopullim të madh të të punësuarve kryesisht në baza politike dhe nepotiste ku joprofesionalizmi e ka ngulfatë profesionalizmin andaj programet që emitohen në këtë medium publik nuk janë konkuruese me programet e televizoneve tjera . RTK duhet të nxirret nga ndikimi 100% i politikës , duhet të krijojë hapësirë për profesionistë të fushave të ndryshme sikur edhe të ulë numrin e të punësuarve , në përputhje me nevojat reale për këtë medium publik. RTK duhet të jetë medium që do të sigurojë mjete financiare duke shitur prodhimet e saj ne tregun e mediave dhe jo të japë mjete të panevojshme për blerje te lajmeve , informatave apo filmave që u ka kaluar arsyeshmëria e përdorimit e të cilat aspak nuk e rrisin shikueshmërin apo që bëjnë përmirësime cilësore të programeve. Dhe që janë me çmime shumë të larta.

KMDLNj e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje që parapagimi për RTK-në përmes faturave të rrymës të legalizohet sepse konsideron këtë formë si plaçkitje ordinere , kundërligjore dhe kundër të drejtave të njeriut . Komisioni paralamentar për media i Kuvendit të Kosovës nuk mund të jetë rregullator e as mbikëqyrës i punës së RTK-së sepse një pjesë e këtij Komisioni ka konflik të hapur interesi dhe raporte nepotiste.

RTK mund të arsytojë kërkesën për mjete shtesë buxhetore vetëm nëse e rrit cilësinë e programeve , nëse vendosë rregull në punësim , nëse profesionalizohet dhe përfundimisht nëse lirohet nga ndikimi politik. Cdo përpjekje që t’i zgjatet jeta një gjendjeje të tillë do të jetë zgjatje e agonisë informative dhe programore që pashmangshëm shpie te legalizimi i joprofesionalizmit , nepotizmit dhe korrupcionit , aktiv dhe pasiv!, thekson reagimi i KMDLNJ-së.