Arbëri

VV kërkon nga LDK edhe nëntë nënshkrime për formimin e Komisionit për hetim të SHIK-ut

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka nisur ditë më parë mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit hetues Parlamentar me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së veprimtarisë së “Shërbimit Informativ të Kosovës”, ka njoftuar se ka mbledhur 31 nënshkrime.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se në emër të grupit i ka kërkuar edhe shefit të GP-së të LDK-së, Avdullah Hotit, mbështetje për këtë iniciativë, pasi u duhen edhe nënshkrime.

“Siç e kemi bërë të ditur, grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut. I kemi mbledhur 31 nënshkrime, na duhen edhe nëntë nënshkrime të deputetëve. Në emër të grupit, i kam shkruar shefit të grupit parlamentar të LDK’së. I kam kërkuar të njëjtit mbështetje për këtë iniciativë por që ende nuk kam marr asnjë përgjigje nga ai”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje, ajo ka thënë se është e papranueshme hipokrizia e LDK-së, që ë njërën anë e akuzojnë SHIK-un për veprime kriminale e në anën tjetër nuk marrin asnjë veprim.

“Për ne është e papranueshme qasja dhe hipokrizia e vazhdueshme e LDK-së, në këtë rast edhe sa i përket SHIK-ut! Në njërën anë, çdo ditë akuzojnë SHIK-un për veprime kriminale dhe në anën tjetër NUK e kanë guximin të ndërmarrin asnjë veprim, madje në mandatin e kaluar deputetët e LDK-së kishin votuar Kadri Veselin për kryetar Kuvendi”, ka shkruar tutje Haxhiu në një postim të adresuar në Facebook.

“I bëjmë thirrje grupit parlamentar të LDK-së, të na japin nënshkrimet ose në të kundërtën nuk kanë më asnjë të drejtë as morale të thirren në kundërshtimin e SHIK-ut. Ky është momenti të na tregojnë të gjithëve a e kanë përnjëmend kundërshtimin e SHIK-ut”, përfundon ajo.