Arbëri

Luksemburgu i gatshëm të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Gjatë takimit është biseduar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

Kelmendi theksoi ato që kumtesa i quan të arritura në Kosovë, sidomos ato në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, duke falënderuar Luksemburgun për gjithë përkrahjen që ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën.

Ai e njoftoi edhe për pengesat në të cilat po hasin bizneset dhe prodhuesit në Kosovë si pasojë e mos liberalizimit të vizave, duke kërkuar ndihmën e Luksemburgut në këtë drejtim.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, shprehi gatishmërinë e Luksemburgut që të vazhdojë përkrahjen edhe në të ardhmen. Ministri Asselborn theksoi po ashtu se do t’i shohin mundësitë për të investuar në Kosovë.