Policia e Kosovës dhe AGK, me raporte të shkëlqyera të ndërsjella Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës dhe AGK, me raporte të shkëlqyera të ndërsjella

28 mars 2017 14:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni i shoqëruar nga stafi i tij, ka pritur në takim kryesuesin e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkëlqim Hysenajn dhe Petrit Çollakun, hulumtues në AGK.

Maxhuni fillimisht falënderoi përfaqësuesit e AGK-së për vizitën e tyre dhe njëkohësisht gjatë takimit i njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, karshi bashkëpunimit dhe transparencës me media.

Sipas një komunikate për media të Policisë së Kosovës, thuhet se përveç tjerash, në këtë takim të pranishmit janë njoftuar se Policia e Kosovës është e gatshme që të bashkëpunojë ngushtë me AGK-në, në çfarëdo fushe e cila ka për qëllim ngritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit të ndërsjellë, “bashkëpunim ky i cili në realitet po ndodh me të gjitha zyrat e informimit të PK-së dhe mediat në përgjithësi”.

“Drejtori Maxhuni njoftoi përfaqësuesit e AGK-së se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është profesionale dhe e përgatitur që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit në përgjithësi, e për gazetarët në veçanti”, thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, Hysenaj, siç raporton PK, ka falënderuar Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen e bërë si dhe njëkohësisht njoftoi të njëjtin për angazhimin e AGK-së në një projekt regjional “Liria e Mediave dhe Siguria e Gazetarëve” që nga fillimi i vitit 2016, duke përfshirë të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga ky raport.

Njëkohësisht përfaqësuesit e AGK-së kërkuan që Policia e Kosovës t’i trajtojë me prioritet rastet e sulmeve apo kanosjeve ndaj gazetarëve dhe për të njëjtat të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Maxhuni dhe Hysenaj u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe takime apo trajnime të përbashkëta të cilat do të ndikonin pozitivisht në të gjitha aspektet e bashkëpunimit polici-media.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme