Kthimi “me marrëveshje” i Listës Serbe Foto: Koha

Kthimi “me marrëveshje” i Listës Serbe

28 mars 2017 13:19

Kthimi i përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, nuk është i befasishëm dhe ai ka qenë i pritshëm, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Por, megjithatë, sipas tyre, ky kthim nuk është bërë pa marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë theksuar se me kthimin e tyre në institucione duan ta kenë “rolin kryesor në hartimin e statutit dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” dhe që “përmes institucioneve ta kundërshtojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës”.

Politologu Behlul Beqaj, profesor i shkencave politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se kthimi i Listës Serbe nuk është bërë pa një përllogaritje, në kuptimin e koncesioneve të mundshme nga ana, siç e quan ai, e palës shqiptare, për rikthimin e kësaj Liste në Kuvend.

Pavarësisht nga kjo, thotë profesor Beqaj, do të ketë mjaft probleme serioze në zbatimin e marrëveshjes eventuale, që sipas tij, është bërë nga pushteti në Kosovë dhe Lista Serbe, prapa të cilës, siç thotë ai, qëndron kryeministri serb, Alaksandar Vuçiq, dhe që ka të bëj me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni, pavarësisht që kthehet Lista Serbe, është gati se i pamundur që të kalojë, së paku deri sa nuk filtrohet çështja e raportit të statutit, përmes Gjykatës Kushtetuese, si dhe në anën tjetër, kërkesave, të cilat e tejkalojnë Asociacionin në kuptimin e kompetencave, të cilat kërkohen nga serbët. Kjo e pamundëson realizimin dhe zbatimin e tyre. Kështu që, kjo pjesë mundet të jetë një dëshirë e mirë, por e pamundshme për tu realizuar pavarësisht marrëveshjes që e kanë bërë, paraprakisht, faktorët përkatës”, thotë Beqaj.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe e ka vlerësuar situatën që pa pjesëmarrjen e tyre, Asociacioni nuk do të formohet në asnjë mënyrë.

“Normalisht që në rast se merren vesh për realizimin e formimit të Bashkësisë së komunave serbe, Prishtina do t’i hedhë të vendosë në tavolinë edhe disa kërkesa tjera. Se a është kjo ushtria apo diçka tjetër, mbetet pikëpyetje. Por, në çfarëdo rasti, kthimi i tyre nuk është i pakushtëzuar ose pa disa intervenime të caktuara nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe nga institucionet në Prishtinë. Me siguri se ekziston njëfarë marrëveshje dhe kusht për kthimin e tyre”, tha Nojkiq, duke shtuar se pa një kusht të tillë, nuk do të mund të hiqeshin pengesat për fillimin e krijimit të Asociacionit.

Politologu Beqaj, shpreh mendimin se është e pamundur që Lista Serbe të kthehet për ta votuar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, në formën se si e ka paraparë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes ndryshimeve ligjore.

“Por, me siguri që prania e tyre, në një mënyrë ose tjetër, mund të jetë një lloj kompromisi, që në mënyrë të heshtur të bëhet një zgjidhje edhe sa i përket transformimit të Forcës së Sigurisë. Ndonëse, unë mendoj që kjo është shumë më e vështirë se sa që është çështja e zbatimit. Shkurt, mendoj që marrëveshjet me siguri që ekzistojnë, por mendoj se e kanë një të metë serioze. Ato gati se janë të pamundura, për rrethanat dhe në këtë kontekst politik, që të realizohen”.

Por, Nojkiq, vlerëson se Lista Serbe, në asnjë rrethanë nuk mund të jetë pengesë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, në rast se ky transformim synohet përmes ndryshimeve ligjore.

“Në qoftë se institucionet në Prishtinë e kanë qëndrimin e tyre dhe në qoftë se duan ta formojnë Ushtrinë e Kosovës pa serbët, qofshin ata brenda apo jashtë institucioneve, atëherë hyrja e këtyre të fundit në institucione nuk mund ta pengojë këtë qëllim. Është idilike të flitet se ata janë faktorët e vetëm për pengimin e formimit të Ushtrisë së Kosovës”, tha Nojkiq.

Lista Serbe pati braktisur pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës në tetorin e vitit të kaluar, pas miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike nga Kuvendi i Kosovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme