Arbëri

Deportimi i gylenistëve shpërfaq dështimin e shtetit

Gjashtë shtetas turq u arrestuan sot në Kosovë dhe pritet deportimi i tyre në Turqi, por krerët e vendit thonë të mos kenë qenë në dijeni për veprime të tilla.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përderisa thonë se nuk kanë qenë fare në dijeni, i pari i vendit Hashim Thaçi, nuk doli me asnjë reagim.

Haradinaj e Veseli kërkojnë përgjegjësi për këtë veprim dhe thonë se veprime të tilla nuk korrespondojnë me vlerat evropiane që Kosova duhet t’i përfaqësojë.

Ndërkaq, analistët e deputetët, veprimin e sotëm e konsiderojnë dështim të institucioneve më të larta shtetërore.

Ehat Miftaraj, njohësi i çështjeve ligjore nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se arsyetimi i Haradinajt ose është tentim të shfajësohet, ose dëshmon se ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, nuk i përgjigjet fare kryeministrit. Ky i fundit mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, teksa fliste për arrestimin e Marko Gjuriqit, kishte thënë se dëgjon urdhrat e Haradinajt, pasi ai është eprori i tij.

“Në radhë të parë, kjo fushë hyn në kuadër të MPB-së, andaj arsyetimi i kryeministrit se nuk ka qenë i informuar për këtë çështje dëshmon në realitet se në Kosovë, ministri i Punëve të Brendshme ose nuk i përgjigjet fare Kryeministrit, ose mund të jetë si një shfajësim nga vetë Kryeministri. Sidoqoftë, kur kemi të bëjmë me të drejtat dhe liritë e shtetasve të huaj, veçanërisht rastit që ndërlidhet me të përndjekurit që po i bën regjimi i Erdoganit, padyshim që ministri i MPB-së dhe qeveria do të duhej të kishin koordinim, sepse kjo hyn në kuadër të fushës që ndërlidhet me obligimet që Kosova i ka si shtet në aspektin ndërkombëtar”, tha Miftaraj.

Ai ka shtuar se me këtë veprim, duket se në Qeverinë Haradinaj kemi jo një, por disa kryeministra.

“Në njëfarë mënyre çdo ministër i koalicionit raporton te kryetari i partisë dhe jo te kryeministri. Kjo dëshmon brishtësinë e kësaj qeverie e që në shtetet normale, politika e jashtme do të duhej të ishte e koordinuar në mes presidentit, kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme. Si duket në Kosovë tanimë edhe MPB luan rol në politikën e jashtme edhe përkundër asaj se nuk hyn në sektorin e tij”, përfundoi Miftaraj.

Në anën tjetër, Petrit Zogaj, drejtor i FOL-it, në Facebook ka shkruar se kjo nuk është hera e parë që në Kosovë, disa veprime politike po bëhen tejet personale, dhe se në këtë rast presidentit Thaçi duhet t’i pamundësohet të ushtrojë funksionet e tilla në këtë mënyrë.

“Politika është edhe personale në do raste, ama Hashim Thaçi personale e ka pasë gjithmonë. Personale ishte deportimi nga Kosova i shtetaseve të Turqisë që ndodhi sot. Siç kanë qenë personale e klanore koncesionimi i airportit dhe privatizimi i distribucionit. E për këto arsye, ne, do të duhej me ja pamundësu ushtrimin e funksioneve shtetërore që ka ky politikan ngushtpamës e i dëmshëm”, ka shkruar Zogaj.

Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri, por asnjëri nuk kanë qenë të qasshëm pasditen e sotme.

Por gjatë ditës, MPB bëri të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës siç thuhet "për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore". Dhe, pas revokimit të leje qëndrimit, sipas kësaj ministrie, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm. Ndërkohë, që palët kanë të drejtë ankese në gjykatën kompetente.

Njohësi i çështjeve për të drejtat e njeriut njëherësh kryetari i LB-së, Valon Murati, ka thënë se shfajësimet e tilla si të Veselit e Haradinajt, janë të paprecedentë dhe se situata të tilla, siç i ka quajtur ai anarkiste, mund ta vendosin Kosovën në pozita të rënda.

“Çka po ndodh kështu? Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli reagojnë për arrestimin dhe deportimin e gylenistëve duke lënë të nënkuptohet se nuk ishin fare në dijeni për këtë operacion. I pari duket se ishte shumë pak i njoftuar edhe me situatën që solli ngjarjet dramatike të së hënës në veri. Kjo është e paprecedentë. Situata të tilla anarkiste mund të na vendosin në pozita të rënda si shtet para çdo procesi politik në të ardhmen dhe vënë në pikëpyetje funksionalitetin e institucioneve”, ka thënë Murati, përcjell Koha.net.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se veprimi i sotëm e rreshton Kosovën në krah të kundërt me SHBA-në, dhe gjithashtu sjell kapitullimin e institucioneve të Kosovës.

“Ekstradimi i pesë mësuesve e rreshton Kosovën në krah të kundërt me SHBA-të e me vendet e BE-së. Ekstradimi i sotëm sjellë edhe kapitullimin e plotë të institucioneve shtetërore përballë demokracisë. Sot Kosova u soll me qyqarllëk; pa moral. S’është as normë kushtetuese e jona, e as traditë dorëzimi i njerëzve si sot”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, deputeti tjetër Driton Selmanaj, ka thënë se kërcënimi më i madh Kosovës sot i vjen nga presidenti Thaçi.

“Sot kërcënimi më i madh që i vjen Kosovës, i vjen nga Presidenti i saj Hashim Thaçi. Ngjarjet e para disa ditëve në veri dhe kidnapimi e më pas deportimi i sotshëm i shtetasve turq pa respektuar ligjet dhe konventat ndërkombëtare mbi ekstradimin, dëshmojnë që Kosova po e ndryshon drejtimin perëndimor të saj. Duhet mobilizim politik e shoqërorë për ta ndal këtë theqafje të Republikës....”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, ka thënë se Ramush Haradinaj, Flamur Sefaj e Abelard Tahiri, duhet t’u japin përgjegjësi qytetarëve për veprimin që sot kanë ndërmarrë, ose në anën tjetër, ata duhet të japin dorëheqje.

“Kush po qeveris me Kosovën? A jemi republikë parlamentare apo shtet policor dhe diktatorial? A kemi përgjegjësi ndërkombëtare apo kemi miqësi bajraktarësh? Arrestimi dhe deportimi i menjëhershëm dhe pa asnjë përgjegjësi i shtetasve turq sot nga Kosova, lëkund dhe dëmton rëndë shtetin e së drejtës, shtetin me aspirata demokratike dhe me synim integrimin Euro-Atlantik. Mohimi i të drejtës së ankesës, mohimi i kontaktit me familje dhe mungesa e informatave për “rrezikueshmërinë” që përfaqësuan këta shtetas të Turqisë me leje valide qëndrimi në Kosovë, të kujton diktaturat moniste që menduam se i lamë pas vetit. Sonte, Ministri i punëve të Brendshme, Ministri Drejtësisë dhe Kryeministri i Kosovës duhet të ju spjegojnë Kosovarëve, PSE me një procedurë të përshpejtuar deportuan gjashtë shtetas turq, punëtorë të sistemit të arsimit në Kosovë. Cila është baza ligjore dhe cili ishte rreziku i tyre? Nëse nuk ka përgjigje kredibile nga këta zyrtarë të shtetit, atëherë ata nuk kanë asnjë arsye të mbajnë pozitat e tyre. Le të ja dorëzojnë lirisht postet atij që dha urdhërin në vend të tyre. Të dihet kush po qeveris dhe kush po vendos në Kosovë pa njerëz të ndërmjetëm”, ka shkruar Kusari – Lila.

Kujtojmë se të arrestuar kanë qenë drejtori i përgjithshëm i Shkollës "Mehmet Akif" në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarët Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana dhe gjithashtu mjeku Osman Karakaja, ndërkaq sipas Bordit të Aksionerëve të Qendrës Edukativo Arsimore “Gulistan”, ata ende janë në aeroportin e Prishtinës dhe të gjithë pritet të deportohen në Turqi.