Arbëri

MD-ja do riorganizimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme pas përfundimit të Misionit të EULEX-it

Zyra për Media e Ministrisë së Drejtësisë, njofton se ministri Abelard Tahiri, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryetarin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, si dhe kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi.

Qëllimi i këtij takimi, sipas njoftimit, ishte koordinimi i veprimeve të përbashkëta në lidhje me sigurimin e funksionimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me rastin e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe përshpejtimin e punës së kësaj gjykate.

Ministri Tahiri potencoi se puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit e sidomos tek shpërndarja e fondeve në mirëbesim tek punëtorët dhe kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore si dhe bartja e mjeteve të mbetura tek buxheti i Republikës së Kosovës.

Sipas ministrit Tahiri, Misioni i EULEX-it ka arritur objektivat e veta dhe se kontributi i tij sidomos në këtë gjykatë ka qenë i pazëvendësueshëm. Në vijim, ministri Tahiri siguroi të pranishmit se Ministria e Drejtësisë i ka dhënë prioritet procedurave për ndryshimin e ligjit, në mënyrë që të mundësohet baza ligjore për zëvendësimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë me ata vendorë dhe se ky procesi po ec me hapin e duhur. Për më shumë ai theksoi nevojën e përshpejtimit të punës së kësaj gjykate për të mundësuar shpërndarjen e shpejtë të mjeteve në mirëbesim si e drejtë themelore për punëtorët dhe kreditorët.

“Është e papranueshme që për shkak të resurseve të pakta dhe dinamikës së ulët të punës së kësaj gjykate, punëtorët dhe kreditorët të presin me vite të tëra për të marrë hisen e tyre të ligjshme nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Ministria e Drejtësisë është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda mandatit të saj që të sigurohemi se po zbatohen parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një gjykim brenda një intervali të arsyeshëm kohor”, theksoi ministri Tahiri.

Në takim është theksuar përkushtimi i përbashkët për të punuar në sigurimin e vazhdimësisë së punës së rregullt në gjykatë, sidomos pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë.