Arbëri

MPJ fton afaristët turq të investojnë në Kosovë

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Rejhan Vuniqi ka ftuar afaristët që të investojnë në Kosova gjatë Samitit Ekonomik Kosovë – Turqi që u mbajt në Bursa, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Kosova, si një vend i ri dhe dinamik ofron një sërë përparësish krahasimore siç janë, popullsia e re dhe mjaft mirë e kualifikuar, resurset natyrore, kushtet e volitshme klimatike, infrastruktura, politikat fiskale me taksat më të ulëta tatimore në rajon, pozitën gjeografike me qasje në tregun rajonal të CEFTA-s, BE-së dhe tregje të tjera, andaj shfrytëzoj rastin të ftoj afaristët e Bursës, që të investojnë në Kosovë ​sepse do të keni mundësi për të eksportuar produktet tuaja në tregjet më të mëdha botërore”, ka thënë Vuniqi, transmeton Koha.net.

Ajo ka shtuar se Bursa është një qytet model për zhvillimin ekonomik për komunat e Kosovës.

“Qyteti i Bursës, përveç kontributit në zhvillimin e ekonomisë së Turqisë, në ditën e sotme kontribuon edhe në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ky qytet, mund të shërbejë si një referencë dhe model në zhvillimin ekonomik të komunave te Kosovës. Kultura e punës, angazhimi në fushën e aftësimit profesional të të rinjve, performanca në fushën e industrisë dhe në sektorin e shërbimeve, na bënë që të shikojmë me vëmendje dhe të lakmojmë veçoritë e këtij qyteti të bukur. Gjithashtu, çmojmë iniciativat e këtij qyteti për të zhvilluar bashkëpunimin me Kosovën”, është shprehur Vuniqi.

Në vazhdim të prezantimit ajo ka përmendur edhe marrëdhëniet shumë të mira në mes dy vendeve dhe dy popujve që duhet të ndikojnë në zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

“Përveç marrëdhënieve shumë të mira politike dhe ekonomike, janë edhe lidhjet kulturore dhe historike ndërmjet dy shteteve. Shumë njerëz si nga Turqia ashtu edhe nga Kosova kanë të afërmit e tyre në shtetin tjetër. Dinamikat tona sociale na bënë që të afrohemi edhe më shumë. Kosovarët që kanë migruar në Turqi, komuniteti turk në Kosovë dhe në fakt të gjithë kosovarët, kanë rëndësinë e veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Vuniqi.