Arbëri

Miratohet propozimi për marrëveshjet IPA I dhe II me vlerë 74.45 milionë euro

Prishtinë, 23 mars -
Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, paraqiti sot, në mbledhjen e Qeverisës së Kosovës kërkesën, drejtuar Presidentin e Kosovës për autorizim të nënshkrimit të Marrëveshjes financiare për IPA 2017, pjesa I dhe II. Në njoftimin për media theksohet se propozimi i saj u miratua nga Qeveria.

Marrëveshja financiare për IPA 2017, pjesa e parë, është finalizuar dhe tani pritet nënshkrimi i saj.

“Kjo marrëveshje rregullon zbatimin e programit IPA 2017, pjesa e parë, që përfshin 11 projekte, të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e njeriut, efiçiencën e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale. Programi konsiston në financimin me 48 milionë eurove nga ana e BE-së për Kosovën, ndërsa shuma totale është 49.45 milionë euro, ku përfshihen edhe bashkëfinancimi nga ana jonë në shumën 1.45 milion euro”, theksoi ministrja Hoxha.

Menjëherë pas kësaj, siç tha ajo, do të finalizohet e gjithë procedura për nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes dhe zbatimin e saj, që fondet e parapara me këtë marrëveshje të zbatohen për projektet të cilat janë planifikuar.

Pas këtij propozimi, ministrja Hoxha ka paraqitur kërkesën e dytë për miratimin në parim, Marrëveshjen financiare për IPA 2017, pjesa e dytë, me Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja financiare IPA 2017, pjesa e dytë, përfshin vlerën 25 milionë euro, prej të cilave 21 milionë janë përkrahje buxhetore sektoriale, ndërsa 4 milionë janë asistencë për zbatimin e saj. Ky program jepet për fushën e menaxhimit të financave publike. Pas miratimit të nismës, Qeveria duhet të themelojë ekipin negociator që do të negociojë me BE-në për treguesit e reformave, caqet dhe vlerat numerike që duhet arritur për çdo vit, për një periudhë 3-vjeçare, 2019-2021”, ka sqaruar ajo.

Ky është programi i dytë i përkrahjes buxhetore sektoriale, pas atij të Marrëveshjes financiare IPA 2016, pjesa e dytë, që ishte e fokusuar në reformën e administratës publike.

“Kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë për Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe Ministrinë e Integrimit Evropian në veçanti, sepse i hap rrugë mandatimit të ekipit që do të negociojë tekstin e kësaj marrëveshjeje”, theksoi ministrja Hoxha.

Të dy propozimet e ministres Dhurata Hoxha, u miratuan nga Qeveria.

Me respekt,

Zyra për Komunikim dhe Informim