Arbëri

Nesër në Bruksel takohen Thaçi e Vuçiq

Presidentët e Kosovës e të Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq takohen nesër pasdite, në Bruksel, dhe ky do të jetë takimi i sivjetshëm i parë në nivel të lartë midis dy vendeve. Takimi, sipas burimeve nga Brukseli, organizohet nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, transmeton Koha.net.

Merret vesh se ata do të shkëmbejnë pikëpamje rreth fazës së re të dialogut për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Sipas ftesës që u është dërguar presidentëve të Kosovës e të Serbisë theksohet se më 23 mars do të bisedohet për “fazën e dialogut që ka të bëjë me normalizimin gjithëpërfshirës” e po ashtu “do të shqyrtohet puna që është në vijim rreth vënies në jetë të marrëveshjeve ekzistuese”.

Bëhet fjalë për takimin e parë në nivelin më të lartë politik në kuadër të dialogut midis Prishtinës e Beogradit nga fillimi i këtij viti, ndërsa i treti që nga viti i kaluar kur formati i dialogut politik i të dy palëve kaloi nga kryeministrat në nivel të presidentëve të Kosovës e të Serbisë, transmeton Koha.net.

Në BE theksojnë rëndësinë e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe presin implementimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, por edhe arritjen e zgjidhjes gjithëpërfshirëse dhe të marrëveshjes juridikisht detyruese për normalizim të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në Bruksel në prag të takimit të presidentëve të Kosovës e të Serbisë theksohet ekzistimi i proceseve paralele në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, njëri që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese nga Marrëveshja e Brukselit dhe që zhvillohet në nivel të delegacioneve të ekspertëve, dhe tjetri që ka të bëjë me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve.

“Po vazhdon puna në dialogun teknik, ai po intensifikohet dhe po shkon në drejtim të qartë të implementimit të plotë të asaj për të cilën ka marrëveshje. Kur është fjala për takimin në nivelin më të lartë, aty do të shikohet se ku janë punët në kontekstin e implementimit të asaj për të cilën ka marrëveshje, e po ashtu do të bisedohet edhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për punën në nivel presidentësh”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç, transmeton Koha.net.

Kocijançiç ka konfirmuar se për shkak të dështimit që të arrihen marrëveshje gjatë rundit të dialogut teknik të kësaj jave midis delegacioneve të Prishtinës e të Beogradit në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, energjetikën, lëvizjen e lirë, nuk do të anulohet e as të shtyhet takimi Thaçi - Vuçiq.

Presidentët e Kosovës e të Serbisë, sipas burimeve nga Brukseli, duhet të takohen me shefen e diplomacisë së BE-së, Federice Mogherini vonë pasdite të premten, më 23 mars. Darkës së përbashkët punuese do t’i paraprijë bisedat bilaterale të Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit me Mogherinin, transmeton Koha.net.