Arbëri

Selmanaj: Jemi të bindur se kufiri do të jetë në Kullë dhe Çakorr

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë se Kosova deri më tani ka pasur disa hapa të gabuar, por që është një lajm shumë i mirë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Në Interaktiv të KTV-së, Selmanaj është shprehur shumë i bindur se kufiri do të jetë në Kullë dhe në Çakorr.

“Do të ishte mirë që Kosova të mos e binte punën deri këtu, kemi pasur disa hapa të gabuar. Tri pika kanë krijuar bazë të rëndësishme juridike për të rregulluar demarkacionin. Lajmi i mirë është se ka ndodhur ky ndryshim. Në mënyrë specifike të dy palët e pranojnë se duhet të përmirësohen pikat drejt Çakorrit. Edhe Mali i Zi ka reflektu dhe të gjitha gabimet do të korrigjohen. Jemi të bindur se kufiri do të jetë në Kullë dhe Çakorr”, është shprehur ai.

Ai ka pritur se Vetëvendosje do të hedhë gaz lotsjellës.

“Po kam pritur se do të ketë gaz lotsjellë. Këto metoda nuk janë të pëlqyeshme, megjithatë ata e kanë vlerësuar si formë të kundërshtimit hedhjen e gazit lotsjellës. Nuk e pëlqejmë as arrestimin e deputetëve, por ata nuk e lejonin funksionim normal të Kuvendit. Ky arrestim nuk ishte dashur që të ndodhte, dhe shpresoj që të ndodhë amnistim për këta deputetë. Edhe përse nuk janë të pëlqyeshme këto metoda, ne demokraci janë të pranueshme deri diku. Nuk mendoj se ka qenë shumë e vështirë të bëheshin votat. Edhe Vetëvendosje do të duhej të reflektojë, pasi edhe ne e kemi kundërshtuar raportin e Mehës pasi ka disa gabime. Besoj se Kosova ka mjaftueshëm dokumente që të ketë tokën e vet në Kullë e Çakorr”, është shprehur Selmanaj.

Selmanaj ka thënë se nuk kishte pazare me rikthimin e Kadaj-Bujupit në AAK, ndërsa ka çmuar votën e deputetit goran, Adem Hoxha.

“Ka qenë vullnet i dyanshëm e asaj nuk i është ofruar asgjë, dhe skemi të bëjmë me asnjë lloj pazari. Veprimi i deputetit Hoxha ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, ndërsa nuk kemi pranuar asnjë kusht të Listës Serbe”, ka thënë ai.