Arbëri

Veseli i bindur se drama e demarkacionit përfundon sot

10:00 - Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas një takimi me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe me ambasadorët e shteteve të BE-së në Kosovë, theksoi se ka ardhur momenti që të përfundohet drama, duke u votuar demarkacioni në orën 11.00.

Veseli i siguroi partnerët evropianë që institucionet e Kosovës do të punojnë fuqishëm në rrugën drejt integrimit në BE.

“Kemi sakrifikuar shumë si vend, nuk do të lejojmë që për ego të askujt ky mund i joni të shkojë huq. Sot do ta përfundojmë ratifikimin e kufirit me shtetin mik, Malin e Zi”, tha ai.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se sot është ditë e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi ka gjasë që të zgjidhet çështja e demarkacionit.

“Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën ku një ngjarje, e cila që një kohë të gjatë ka gjasë të përfundohet, pra është marrëveshja për demarkacionin. Kjo është një nga dy kriteret dhe thërras politikanët që të mos i mbajnë qytetarët e tyre të izoluar drejt integrimit në BE”, tha ajo, raporton Kosovapress.

Apostolova tha se kanë biseduar në detaje se cila do të jetë puna e Asamblesë për javën dhe muajin tjetër në kohën kur do të publikohet raporti për Kosovën.


Para seancës për demarkacionin, Ambasadorët e Quintit në takim te Veseli

Image

Kur kanë mbetur edhe rreth 2 orë para nisjes së seancës së Kuvendit të Kuvendit të Kosovës, në orën 11, ku pritet të votohet për demarkacionin me Malin e Zi, në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, do të mblidhen ambasadorët e vendeve të Quintit, bashkë me shefen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova.

“Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pret sot në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës.

Seanca për votimin e demarkacionit, e nisur dje në orën 16:00, është ndërprerë pas mesnatës pas debateve të shumta nga delegatët, për të vazhduar sot në orën 11:00.