Arbëri

Ymeri pranon simbolet e Kosovës, por thotë se duhet të ndërrohen

Simbolet e Kosovës janë të imponuara dhe si të tilla duhet të ndërrohen me forma demokratike. Kështu për Rubikon të KTV-së ka thënë Visar Ymeri, deputet dhe ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndonëse ishte pikërisht Ymeri i cili nuk respektoi himnin shtetëror duke mos u ngritur në këmbë.

Me daljen nga Vetëvendosja, Ymeri ndryshoi edhe qëndrimin. Ndonëse thotë se duhet ndërruar, ai i pranon këto simbole.

“Deri sa nuk ndërrohen po”, ka thënë Ymeri.


Ymeri paralajmëron partinë e re, në bisedime me Shpend Ahmetin

21:11 - Dy emrat që i sollën Vetëvendosjes dy komuna, atë të Prishtinës dy herë dhe Kamenicës, dolën nga partia në kohën e valës së dorëheqjeve tjera. Shpend Ahmeti e Qëndron Kastrati zyrtarisht nuk kanë deklaruar nëse janë me Grupin e Pavarur. Visar Ymeri në Rubikon të KTV-së bëri të ditur se janë në bisedime dhe se beson se që të dy do të jenë pjesë e tyre.

“Besoj që do të jetë. Jemi në diskutime se çka mund të bëj. Jemi duke diskutuar dhe ende nuk ka marrë formë të re. Besoj që po, natyrisht dhe jo vetëm ata”, ka thënë Ymeri kur është pyetur nëse pjesë e tyre do të jetë edhe Shpend Ahmeti me Qëndron Kastratin.

Ymeri theksoi se tashmë janë vetëm Grup Parlamentar mirëpo në një të ardhme të afërt do të jenë edhe subjekt politik.

“Nuk ka arsye për t’u ngutur, më mirë është ta bëjmë një subjekt me koncept të qartë politik. Po flasim për kornizat tona ideologjike”, ka thënë ai.

Ai la hapësirë se grupit te tyre mund t’u bashkohen edhe emra të tjerë.

Sipas tij, brenda partisë ka ende njerëz të pakënaqur, të cilëve vazhdimisht po u ngushtohet hapësira për kundërshtim.


Ymeri: Lëvizja Vetëvendosje është një njeri

20:40 - “Lëvizja Vetëvendosje është një njeri”, ka thënë Visar Ymeri duke ju referuar kryetarit aktual dhe themeluesit të Lëvizjes, Albin Kurti.

Ymeri në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se në partinë të cilën e drejtoi deri pak kohë më parë, i gjithë funksionimi është fokusuar në një njeri, duke e bërë atë të ngjashme me partitë tjera.

Me këtë Ymeri nënkuptoi AAK-në e PDK-në, për çka theksoi se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, do të përfundojë në një praktikë të tillë.

“Nëse vazhdohet në këtë rrugë, unë po e shoh ketë përfundim dhe uroj të mos jetë ashtu. Politikëbërja në Kosovë ka nevojë të ketë qasje tjetër. Ne do vazhdojmë të jemi grup parlamentar i cili nuk do veçohet në emra po në ide”, ka thënë ai.

“Ka zëra në VV që do kundërshtojnë mirëpo hapësira po reduktohet”, shtoi ai.

Ai e uroi Kurtin në drejtimin e parisë ndonëse, siç tha, nuk ka pasur ndonjë mundësi deri tash ta bëj këtë personalisht.


Grupi i Pavarur Parlamentar nuk do ta votojë demarkacionin

20:29 - Visar Ymeri në Rubikon të KTV-së theksoi se mbesin të vendosur në qëndrimin kundër kësaj marrëveshje. Ymeri tha se vendi humb territor me marrëveshjen ekzistuese.

“Nuk mund të ratifikohet një marrëveshje e cila përmban aq shumë gabime sa i përket vijës kufitare... E kemi marrëveshjen për demarkacion dhe e kemi raportin e Bulliqit që thotë se është e gabuar. Raporti Bulliqit e konstaton këtë gabim”, ka thënë ai.

“Ai komision e ka bërë një lloj auditimi se si është bërë ai proces, vetëm procesi si është bërë por jo edhe vija kufitare”, ka thënë ai duke ju referuar komisionit ndërkombëtar të themeluar nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga.