Arbëri

Çfarë mendojnë qytetarët për demarkacionin

Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket ratifikimit ose jo të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, raporton KTV.

Shumica prej tyre mendojnë se sapo të votohet kjo marrëveshje, liberalizimi i vizave do të jetë i pashmangshëm. Por, kështu nuk mendojnë edhe njohësit e kësaj fushe.

Tri herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme nëse duhet të votohet kjo marrëveshje.

Disa thonë se nuk duhet falur tokën e Kosovës dhe kurrsesi deputetët të mos e votojnë atë.

Ndërsa, qytetarë të tjerë preferojnë që deputetët ta votojnë Marrëveshjen, dhe t’i hapin rrugë procesit të liberalizimit të vizave.

Ata ftojnë edhe Vetëvendosjen që mos ta bllokojnë procesin.

Por, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, thotë se edhe nëse votohet Marrëveshja për demarkacion, liberalizimi i vizave nuk bëhet menjëherë, pasi mbetet edhe një kusht tjetër për t’u plotësuar.

Kryeministri Haradinaj më 28 shkurt, kur dështoi Kuvendi për Demarkacion, pati thënë se një seancë tjetër nuk do të mbahet derisa të sigurohen 80 votat e nevojshme për ta miratuar marrëveshjen.