Arbëri

Shala i dorëzon dokumente kadastrale Haradinajt

00:35 - Në kohën kur debati në Kuvend ka nisur orën e nëntë të vazhdimit , një polemikë e zëshme është zhvilluar ndërmjet nënkryetari të Kuvendit të Kosovës e deputetit të LDK-së Kujtimi Shala dhe deputetit të Vetëvendosjes Ali Lajçi, transmeton Koha.net.

Në fjalën e vet Kujtim Shala ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që ta vazhdojë së mbrojturi pretendimin e tij për kufirin e Kosovës me Malin e Zi.

Shala ka përkujtuar komisionin e Badinterit që si kriter për caktimin e kufijve ka marrë zonat kadastrale.

Sipas tij, kjo zonë kadastrale ndërmjet territorit të Pejës e të Malit të Zi ka qenë që nga viti 1930 dhe kjo zonë kadastrale, tha Shala ka lëvizur për pak ose asgjë.

Ai këtë e ka dokumentuar edhe me disa skica parcelash të cilat në vazhdim ia ka dorëzuar kryeministrit Haradinaj.

Kundër kriterit kadastral, sidomos të asaj kohe, të ish Mbretërisë së Jugosllavisë, është ngritur ish – kryetari i Pejës Ali Lajçi i cili i Shalës i ka thënë se ajo kohë ishte kohë banovinash e tani është koha e Kosovës së pavarur.


Haradinaj: Mos minimizoni dokumentet për demarkacionin

23:25 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lutur edhe një herë deputetët që mos të minimizojnë dokumentet që kanë para vete për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, por t’i shfrytëzojnë për korrigjim sepse janë në projektligj.

Haradinaj në përfundim të debatit për demarkacionin me Malin e Zi, ka thënë se sot shpjegoi që gjatë këtyre 6 muajve kanë lëviz gjerat me komisionin Bulliqaj dhe mos e minimizoni sepse e mundëson të drejtën në territor të vendit tonë.

“Nesër si Kosovës duhet të kërkojmë ndoshta korrigjime, përmirësime dhe nuk e kuptojë pse para se të mbërrimë atje duhet ta dobësojmë vetveten ne, jo vetëm një krah por të gjithë ne me thënë këto nuk janë asgjë, janë gënjeshtra, janë për ta larë fytyrën dikush, ndoshta edhe janë ashtu por shfrytëzoni me nxjerr korrigjimin sepse i kemi në ligj, kushdo qofshim ne“, ka thënë ai.

Ai edhe një herë i luti deputetët që mos ta minimizojnë këtë pasi është raporti Bulliqaj, deklarata e dy presidentëve që mundësojnë korrigjimin.


Abrashi: LDK-ja unike për demarkacionin

22:34 - Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, në një deklaratë për KTV-në ka thënë se kolegu i tij partiak, Ramiz Kelmendi do të vinte në Kuvend nëse do të dilte në votim marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Abrashi ka thënë se deputetët që kanë përfunduar fjalimet kanë dalë nga salla, në të cilën kanë mbetur të flasin edhe tetë apo nëntë deputetë.

I pyetur për qëndrimin e Kelmendit, Abrashi ka thënë se LDK-ja është unike dhe do të votojë për demarkacionin me Malin e Zi.

“Si duket nuk do të ketë votim, ajo çka shihet brenda është që një numër i madh është larguar.

Mund të jetë lajm i tillë [nëse ka ndërruar qëndrim për demarkacionin], por Kelmendi ka siguruar se nëse duhet ai do të vinte për votim. Por siç po shihet Kelmendi nuk ka nevojë të vijë në Prishtinë. Ka pasur qëndrime të ndryshme, por grupi i LDK-së vazhdon të jetë unik”, ka thënë Abrashi.


Haradinaj: BE-ja për vizat e ka kusht demarkacionin

19:59 - Kryeministri Ramush Haradinaj ka kujtuar se Bashkimi Evropian po kërkon ratifikimin e demarkacionit si kusht për liberalizim i vizave.

Haradinaj u ka kërkuar deputetëve që të mos arsyetojnë votën kundër me arsyetimin e mos luftimit të korrupsionit, pasi sipas tij, kjo është një gjë e cila veçse ka nisur.

“Tema e rendit dhe ligjit dhe luftës kundër korrupsionit nuk është një akt ose vendim i menjëhershëm”, tha Haradinaj.

Duke mos votuar demarkacionin sipas Haradinajt nuk po ndëshkohet politika, por qytetari i zakonshëm i Kosovës.

Ai edhe një herë ka siguruar se me kalimin e demarkacionit nuk do të humbet territor i Kosovës.


Selimi thotë është habitur nga qëndrimi i AAK-së e Nismës për demarkacionin, i kundërpërgjigjet Haradinaj

19:20 - Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se sot nuk do të votohet as për heqjen e liberalizimit të vizave, as për integrim evropian, as për marrëveshjen e dy presidentëve as për raportin e Bulliqit.

Sipas Selimit, sot do të votohet vetëm për marrëveshjen për demarkacion e jo për marrëveshjet tjera.

Ai tha se i kupton deputetët e LDK-së dhe PDK-së, por jo edhe ata që deri dje kanë kundërshtuar fuqishëm demarkacionin me Malin e Zi duke aluduar në AAK-në dhe Nismën, raporton KP.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj e ka marrë fjalën pas bashkëluftëtarit të tij Rexhep Selimi.

Ai i ka thënë deputetit Selimi se si “patriot që është duhet ta dijë se si ndryshohet kufiri”.

Por për këtë i tha se nuk ka ushtarë pas vetes. “Nuk ke ma ushtarë o Rexhë”, i tha Haradinaj-Selimit.


Limaj: Projektligji për demarkacion i jep mundësi Kosovës të përmirësojë gabimet

18:33 - Sipas zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, projektligji për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilin po debatohet sot në Kuvendin e Kosovës, është mundësi që të përmbyllet më në fund kjo çështje.

Limaj ka thënë se të gjithë deputetët duhet ta shohin deklaratën e dy presidentëve si mundësi për korrektimin e vijës kufitare.

“Ta shohim këtë projektligj si mundësi për ta përmbyllur këtë temë duke mos pasur dilema rreth votimit tonë për të ecur më tutje. Ta shohim si mundësi për të rishikuar e biseduar me palën malazeze për të përmirësuar gabimet dhe lëshimet që janë bërë nga komisioni i parë. Vetë marrëveshja mes dy presidentëve i jep mundësi Kosovës, pasi detyron të dy palët të shikojnë e korrektojnë vijat kufitare kudo që është gabuar. S’po flasim për korrektim në hapësirë të caktuar, por në gjithë vijën kufitare”, është shprehur Limaj.


Kurti: Haradinaj po ha me dy lugë

18:28 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se ky votim është vendim për gjeneratat e ardhshme sepse ky nuk është kufi, por caktim i kufirit të ri.

Kurti tha se “Haradinaj po mundohet të hajë me dy lugë, edhe me komisionin Meha edhe me komisionin Bulliqi”.

“Ky është demarkacion i Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Skënder Hysenit e tash edhe i Ramush Haradinajt”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se Murat Meha ka negociuar sipas kushteve të komisionit të Malit të Zi.

VV e voton vetëm dokumentin që korrigjon por jo edhe marrëveshjen e komisionit Meha, transmeton kp.

Nëse ky demarkacion votohet Kosova sipas Kurtit humb territor.


Kuvendi vazhdon debatin për demarkacionin

18:10 - Më shumë se 30 deputetë janë paraqitur për fjalë në seancën e sotme për demarkacionin me Malin e Zi.

Në sallë në fillim të seancës të pranishëm ishin 85 deputetë.

Koalicioni qeverisës dhe LDK-ja janë shprehur pro marrëveshjes, ndërsa Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur janë deklaruar kundër.

Lista Serbe nuk është fare në sallë.


Delawie del nga Kuvendi

17:38 - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, tashmë ka dalë nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Ai para se të fillojë seanca e dha një deklaratë para gazetarëve ku u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen me Malin e Zi për mos t’i lënë qytetarët e izoluar, raporton KP.

Delawie tha se vota për këtë marrëveshje do të tregojë se cilat parti janë serioze, për ta qeverisur Kosovën për të mirën e qytetarëve të saj, e cilat janë të interesuara vetëm për të shënuar pikë politike.

Image

Haradinaj kërkon votën e VV-së: Votoni për raportin Bulliqi

17:29 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar votën e Vetëvendosjes për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka kërkuar nga ky subjekt politik që të votojë për raportin Bulliqi dhe jo për deklaratën e përbashkët të dy presidentëve të shteteve apo edhe për raportim e ish-komisionit Meha.

Në seancën për demarkacionin, Haradinaj ka kërkuar nga VV-ja që të kërkojë korrigjimin më të shpejtë të vijës kufitare.

“E di që jam në pozicion jo të lehtë. I kërkoj votën LDK-së në këtë ligj për bindjen e mëhershme. Po ashtu i kërkoj votën PDK-së për procesin e deritashëm. Sikur Vetëvendosje do ta votonte sot këtë ligj dhe të deklaroheshin se nuk e votojnë për shkak të marrëveshjes së 25 gushtit 2015 as për deklaratën e presidentëve, por po e votojnë veç për raportin Bulliqi dhe po e marrin përgjegjësinë që 'nëse s’bëhet korrigjimi deri në këtë afat kohor do të keni probleme'. ‘Por meqenëse po synoni korrigjimin po ju japim mundësinë të korrigjoni në një afat kohor’. Nëse rrëzohet ky ligj, procesi me e nxjerrë një të drejtë të Kosovës është bukur i gjatë dhe po aq substancial sa e kemi sjellë këtu. Ka një mundësi korrigjimi bazuar në një raport”, ka thënë Haradinaj.


GDP kundër demarkacionit

17:08 - Grupi i deputetëve të pavarur, të cilët janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të mbështesë demarkacionin. Kjo është bërë e ditur nga Visar Ymeri në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

Ai tha se korrektimet nuk do t’i kthejnë 8200 hektarë me të cilat Kosova në procesin e demarkacionit.

Ymeri ka thënë se Kosova mund të kthejë 8200 hektarë në marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin vetëm nëse presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-kryetar i komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit, Murat Meha, dalin kah pala malazeze.

Sipas Ymerit, kjo treshe do të kryente punë për Kosovën vetëm nëse nuk e përfaqëson atë.


Vetëvendosje ia dorëzon Haradinajt peticionin me nënshkrime të qytetarëve

16:47 - Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ia kanë lënë në tavolinë Ramush Haradinajt peticionin me 205 mijë nënshkrimet e qytetarëve të cilët janë shprehur kundër demarkacionit aktual me Malin e Zi.

“Këtu t’i kemi sjellë në kuvend zërat e 205 mijë qytetarëve, nënshkrimet e të cilëve i ka mbledhur bashkë me ne, të cilët me zë të qartë kanë bërë thirrje të rrëzohet ky demarkacion”, ka thënë Glauk Konjufca, i cili i ftoi kolegët e tij të partisë që t’ia dorëzojnë Haradinajt peticionin.

“Edhe vetë ke bërë përpjekje fizike për t’i sjellë në kuvend. E kemi një lutje dhe një kërkesë: Mos ua kthe shpinën qytetarëve”, ka thënë veç të tjerash Konjufca.


Hoti: Pas ratifikimit të demarkacionit, Haradinaj të japë dorëheqje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka ripërsëritur kërkesën e partisë së tij që pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi kryeministri Ramush Haradinaj duhet të japë dorëheqje.

Hoti ka shprehur përkrahjen e LDK-së për votimin pro demarkacionit.

Të njëjtën e bëri edhe Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.


Me 85 deputetë nis seanca për demarkacionin

Me 85 deputetë në sallë ka nisur seanca për demarkacionin me Malin e Zi.


Konjufca: Haradinaj të dalë e të thotë se i ka mashtruar qytetarët

16:25 - Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë që kryeministri i Kosovës duhet të dalë e të thotë se i ka mashtruar qytetarët të cilët nënshkruan peticionin vjet më parë kundër marrëveshjes aktuale për demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas Konjufcës, Haradinaj ose duhet të thotë se është prapa këtyre nënshkrimeve ose se i ka mashtruar ata qytetarë.

Sa i përket votës së Grupit të Deputetëve të Pavarur, që ditë më parë u ndanë nga Vetëvendosje, Konjufca ka thënë se as ata nuk do të votojnë pro demarkacionit.

Image

Image

Delawie: Mos izoloni qytetarët, votoni pro demarkacionit

16:24 - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka përsëritur thirrjet për deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për demarkacionin, me qëllim që të mos mbesin të izoluar qytetarët për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave.

“Sot është ditë e rëndësishme, sot Kuvendi e ka mundësinë që të ec përpara për të shënuar një fitore të rëndësishme për qytetarët e saj. Dy vjet e gjysmë të përparimit në Evropë janë humbur për këtë çështje. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Delawie në konferencën për media.

“Po aq sa është për liberalizim të vizave, kjo çështje është edhe për të caktuar kufirin me një vend mik e anëtar të NATO-s. Kjo votë do të tregojë se cilat parti janë serioze për ta qeverisur Kosovën e kush të shënojë poenë politikë”, ka shtuar ai.

“Mos i lini qytetarët tuaj në izolim. Votoni për të ardhmen e Kosovës. Votoni për demarkacionin”.


Haradinaj: Nuk do të kishte seancë po të mos i kishim 80 vota pro

16:05 - Kryeministri Ramush Haradinaj, në një deklaratë për mediat para seancës për demarkacionin, ka bërë me dije se janë siguruar votat për kalimin e kësaj çështjeje.

“Po të mos i kishim 80 vota, nuk do të thërrisnim seancë”, tha Haradinaj, raporton Koha.net.


Deputetët e LDK-së të parët në Kuvend

16:03 - Deputetët e LDK-së janë të parët që kanë ardhur në sallën ku pritet që të mbahet seanca për Demarkacionin.

Shefi i GP të LDK Avdullah Hoti dje ka thënë se LDK i ka 27 votat për, por deputeti i kësaj partie Ramiz Kelmendi sot ka thënë se ai nuk do të marrë pjesë në seancë.


Kadaj-Bujupi pro demarkacionit

15:58 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Grupi Parlamentar i AAK-së është unik në votën pro demarkacionit.

Kjo do të thotë se për demarkacionin do të votojë edhe deputetja e rikthyer Donika Kadaj-Bujupi, e cila sa ishte në Vetëvendosje ishte kundër demarkacionit.


Edhe AAK mbledh deputetët para seancës për demarkacionin

15:46 - Përpos Grupit Parlamentar të PDK-së, edhe deputetët e Grupit Parlamentar të AAK-së, janë mbledhur para seancës për demarkacionin me Malin e Zi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj që ka publikuar një fotografi nga takimi.

“Diskutim me Grupin Parlamentar të AAK-së para seancës së Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Në fotografi shihet edhe deputetja e rikthyer, Donika Kadaj-Bujupi.


Deputetët e PDK-së mblidhen para seancës së demarkacionit

15:37 - Grupi Parlamentar i PDK-së është mbledhur në për të diskutuar edhe njëherë për seancën e sotme ku pikë e vetme e rendit të ditës është votimi i demarkacionit.

Deputeti Bekim Haxhiu tha se PDK është unike sa i përket demarkacionit, raporton KP.

Image

Edhe pse ende nuk dihet se si do të votojë deputeti I kësaj partie Nait Hasani, Haxhiu është i bindur se edhe ai do të ketë qëndrim të njëjtë me kolegët e tij deputetë.


Deputetët kanë nisur të arrijnë në Kuvend

Kur kanë mbetur edhe rreth gjysmë ore nga fillimi i seancës së jashtëzakonshme për demarkacionin, tashmë në ndërtesën e Kuvendit kanë filluar të vijnë deputetët.

Deputetët e GDP-së, Visar Ymeri dhe Driton Çaushi, janë parë tek kanë hyrë në ndërtesë. Në ndërtesën e Kuvendit ka arritur edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, raporton KP.

Image

Hasani nuk dihet se si do të votojë pasi që më herët ka deklaruar se do të votojë kundër.

Ndërsa 12 deputetët e Grupit të Pavarur janë deklaruar kundër demarkacionit me Malin e Zi, njëjtë me ish-kolegët e tyre nga Vetëvendosje.