Arbëri

Vuçiq “privatisht” në SHBA, kundërshtarët thonë për biseda sekrete për Kosovën

Descriptive Text

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq është duke zhvilluar një vizitë private në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku gjendet së bashku me vajzën e tij.

Shërbimi diplomatik i Serbisë në SHBA nuk ka asnjë lidhje me këtë vizitë të tij, shkruajnë mediat serbe duke cituar burime diplomatike të ‘Zërit të Amerikës’.

Vuçiq e kishte pranuar se do të udhëtojë për në SHBA në një përgjigje në rrjetin social Twitter për liderin e opozitës, Vuk Jeremiq.

Jeremiq pasi i kërkoi falje Vuçiqit që i “zbuloi” vizitën, e pyeti pse nuk kërkoi mbrojtjen që i takon sipas protokollit.

Vuk Jeremiq kishte deklaruar se Vuçiq po zhvillon “bisedime të fshehura me Kosovën”, dhe pastaj për këtë Vuçiq udhëtoi fshehurazi për në SHBA, përcjell KosovaPress.

“Vuçiq kishte një darkë sekrete me Hashim Thaçin në Paris të martën e kaluar, dhe të dielën udhëtoi në mënyrë sekrete për në New York, gjë për të cilën publiku në Serbi nuk është njoftuar. Ai po ashtu po zhvillon negociata me Ramush Haradinajn përmes një ndërmjetësuesi të afërt në rrethin e tij”, thotë Jeremiq.

E përditshmja e Beogradit, ‘Blic’ ka raportuar se jo zyrtarisht ka mësuar se Vuçiq nuk udhëtoi për arsye private për në SHBA, mirëpo atje do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Tutje në artikull thuhet se Vuçiq ka kërkuar ndihmë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës.