Arbëri

KDI: Deputetët duhet të penalizohen për mospjesëmarrje në seanca dhe votim

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të punës së vet, nuk është treguar shumë efikase. Kjo periudhë është karakterizuar me shumë pak ligje të miratuara, seanca plenare të stërngarkuara me pika të rendit të ditës e vazhdime të shpeshta, mungesë kuorumi, mos-pjesëmarrje në votim e shpeshherë edhe me gjuhë e veprime joparlamentare.

Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ku u paraqit një vlerësim rreth punës së deritashme të kësaj legjislature.

Me këtë rast, Artan Murati nga KDI, ka theksuar se mungesa e deputetëve në seanca plenare, por edhe në mbledhje të komisioneve parlamentare, është një nga problemet më të mëdha të evidentuara në punën e legjislaturës së gjashtë.

Po ashtu në shumë raste ka dështuar votimi për projektligje apo çështje tjera të parapara në rendin e ditës në punimet e Kuvendit, për shkak të mungesës së Kuorumit.

“Përderisa Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është e paraparë të shqyrtohet në seancën e radhës, KDI u bënë thirrje të gjitha subjekteve politike parlamentare që të trajtojnë dhe rregullojnë këtë çështje përmes Rregullores së Punës së Kuvendit, dhe deputetët që mungojnë në seanca, e sidomos në votim, të penalizohen. Mospjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve. Deputetët mund të abstenojnë, por jo të bllokojnë vendimmarrjen në Kuvend. Për deputetët që nuk marrin pjesë në votim duhet të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë por edhe ndëshkime financiare”, ka thënë ai.

Një mënyrë që kjo çështje të rregullohet, Murati ka shtuar se është përmes Rregullores së re të Punës së Kuvendit, ku mund të parashihet që deputeti i cili nuk merr pjesë në votim, por që është prezent në seancë, vota t’i llogaritet me automatizëm si abstenim.

Meqenëse sot do të mbahet vazhdimi i katërt i seancës së jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës është votimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi, Murati ka potencuare se KDI shfrytëzon rastin edhe një herë t’u bëjë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë këtë marrëveshje dhe t’i japin fund sagës që po mbanë të bllokuar jetën institucionale por edhe po mohon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë.

Sipas Muratit, bazuar në monitorimin e realizuar nga KDI deri më tani, Kuvendi në legjislaturën e gjashtë duket si në vijim:

9 ligje të miratuara – 5 në 2017 dhe 4 në 2018. 5 nga 9 ligjet e miratuara kanë karakter financiar;

42 ligje janë në procedurë të shqyrtimit aktualisht nga Komisionet Parlamentare;

Janë mbajtur gjithësej 24 seanca, prej të cilave 15 seanca plenare, 6 të jashtëzakonshme dhe 3 seanca solemne;

Në 20 raste seancat plenare janë vazhduar në ditë të tjera, jashtë ditës kur kanë qenë të parapara të mbahen;

139 pika të rendit të ditës në përgjithësi, prej të cilave vetëm 59 të cilat kanë trajtuar shqyrtimin e projektigjeve (ose 42.4%);

Janë thirrur 4 interpelanca, të gjitha për Kryeministrin Ramush Haradinaj;

Janë realizuar gjithsej 191 mbledhje të Komisioneve Parlamentare, më së shumti në muajin tetor 2017 (43 mbledhje)

Komisionet me më së shumti mbledhje të organizuara: Komisioni për Zhvillim Ekonomik (20), Komisioni për Legjislacion (18) dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa (17). Më së paku takime kanë realizuar Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së (7), Komisioni për Bujqësi (10) dhe Komisioni për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim (11);

Në 29 raste ka pasur raportim nga Kabineti Qeveritar (Ministrat) para Komisioneve Parlamentare. Katër Komisione Parlamentare nuk kanë pasur në raportim asnjë Ministër;

Janë realizuar 126 pyetje parlamentare, më së shumti nga GP VV (56), pastaj LDK (34), PDK (19), AAK (8), Nisma (4) dhe Lista Serbe (1).