Arbëri

Hapet thirrja për Konferencën e Tretë Ndërkombëtare Studentore

Hapet thirrja për pranimin e punimeve shkencore në Konferencën Ndërkombëtare Studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në edicionin e tretë me radhë.

Organizatorët tregojnë se kjo konferencë në edicionin e fundit solli studentë të jo më pak se 35 shteteve të botës në kryeqytetin tonë.

“Organizimi është bërë dhe bëhet nga studentët e universitetit, iniciativë e marrë nga vetë ata e cila rezultoi të jetë tejet e suksesshme”, thuhet në njoftimin për media.

Këtë vit pritet të ketë risi dhe llojllojshmëri më të mëdha në mënyrën e organizimit.

Tema bosht e këtij edicioni do të jetë: Edukimi në Ndërmarrësi në shekullin XXI, derisa punimet do të publikohen në librin e konferencës.

“Shëtitjet e bëra në vendet e Kosovës ishin dhe janë pjesë e agjendës së konferencës që konsiderohet shumë i rëndësishëm për pikat turistike të vendit tonë”, thuhet po ashtu në njoftim.

Njoftimit thotë se Konferenca ka Këshillin Shkencor në të cilin bëjnë pjesë profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, kështu që kualiteti i punimeve që pranohen padyshim se do të jetë i lartë.

“Botimi i abstrakteve bëhet paraprakisht në mënyrë që pjesëmarrësit t'i kenë ato para se të largohen nga konferenca, ndërsa këtë edicion, për dallim nga dy edicionet e para, do të bëjmë edhe botimin e disa punimeve të plota të përzgjedhura si më cilësore”.

Afati i fundit për aplikim është 15 prill 2018.