Arbëri

Divjaka, mrekullia natyrore në çdo stinë të vitit

Jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave aromëmirë, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, por ka një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar, Divjaka tërheq mjaft vizitorë të huaj.

Turizmi i vëzhgimit dhe ai i historisë, po bëhen trendi i turizmit në këtë zonë.

Divjaka, është një qytet i ri, por ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër. Vetë emri i saj rrjedh pikërisht nga kjo rrugë, e cila lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi e bashkoheshin në Klodiana, ose Peqini i sotëm, shkruan atsh. Divjaka ose “Due Vie”, Dy Vijat (Dyvjakë), shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë nga ku i ngeli dhe emri.

Në vargkodrën që nis nga Apolonia e përfundon në Karpen, ka gjurmë të rrugës Egnatia dhe disa kisha me themele të periudhës Justiniane si ajo e Shëngjergjit, Shënmërisë, Shënkollit, Shënmëhillit, Shënpremtes etj.

Turistët sot, sidomos ata të huaj, bëhen kureshtarë për këto gjurmë dhe po vijnë më shpesh në Divjakë.

Po, Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyror, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë.{gallery}

Objektivi kryesore është “Pelikani Kaçurrel” por jo vetëm ai, janë dhe shpendë të tjerë si Flamingot, të cilët gjallërojnë strugat e ëmbla, Rosat e Egra, Çafkat, Karabullakët e të tjerë. Turistët e huaj që vijnë për herë të parë në Divjakë, befasohen nga natyra, flora dhe fauna e rrallë, por, edhe nga mikpritja dhe kulinaria vendase.

Këtë e shprehu edhe vizitorja nga Italia, Sara Perego për kamerën e ATSH në një reportazh të realizuar për Parkun e Divjakës.

Ardhja e sa më shumë vizitorëve të huaj në këtë park, do të thotë edhe rritje ekonomike për komunitetin.

Produktet e shumta bujqësore, blegtorale, shërbimet në hoteleri apo banesat private, janë një vlerë e shtuar në ekonominë familjare të komunitetit.