Arbëri

Qeveria dhe analistët s’besojnë në mocionin e opozitës për zgjedhje të reja, demarkacioni mund të kalojë

Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen.

Kështu pati thënë ditë më parë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka kundërshtuar vazhdimisht ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, gjë e cila u ritheksua edhe sot në një konferencë për media nga deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, partia e të cilit është deklaruar pro demarkacionit, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje menjëherë pas votimit të kësaj marrëveshjeje.

“Pas votimit të demarkacionit, Qeveria duhet të japë dorëheqje, Parlamenti duhet të shpërndahet dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe të formohet një shumicë e re parlamentare që udhëheqë Kosovën në integrimet euroatlantike”, ka thënë Hoti.

Por, analisti Artan Muhaxhiri, nuk sheh angazhim e as vullnet nga opozita për ta zëvendësuar Qeverinë Haradinaj.

Ai, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se edhe pse Qeveria Haradinaj ka probleme shumë të mëdha me përkrahjen parlamentare, nuk ka indikacione se opozita është duke u angazhuar që, përtej retorikës së zakonshme kundërshtuese, të realizojë planifikime konkrete të niveleve të ndryshme me synim të ardhjes në pushtet.

“Zgjedhjet e reja bëhen domosdoshmëri kur pozita dëshiron të rilegjitimohet, ose në rast se opozita dëshmon që është më e fuqishme dhe ka vullnet ta zëvendësojë atë – asnjëra prej të cilave nuk janë duke ndodhur tash”, tha ai.

Muhaxhiri thotë se në Kosovë është i zakonshëm paradoksi politik sipas të cilit edhe kur një qeveri është jostabile dhe nuk i ka të sigurta as 61 votat minimale për mbijetesë, ajo prapëseprapë nuk sfidohet nga opozita. Arsyeja, sipas tij, qëndron në kompleksitetin e harmonizimit të domosdoshëm të shumë grupeve të interesit, të brendshme dhe të jashtme, gjë që i deformon konditat e operimit normal të politikëbërjes.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje nuk është më forca kryesore në Kuvend. Nga 32 deputetë sa pati, 12 prej tyre formuan Grupin e Deputetëve të Pavarur. E këta të fundit nuk dihet se a do të përkrahin një nismë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, edhe pse kanë thënë se me VV-në do të bashkëpunojnë në Kuvend.

Deputeti i GDP-së, Frashër Krasniqi, për Koha.net ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga ndonjë grup parlamentar, por kur të ketë propozime, ata do të dalin me një qëndrim të tyre.

“Çdo nismë serioze dhe e mirëmenduar do të ketë përkrahjen e GDP-së. Por ne nuk kemi marrë ende ndonjë kërkesë nga asnjë grup parlamentar. Në momentin kur ka propozim konkret do ta diskutojmë dhe do të dalim me qëndrim”, tha Krasniqi në një përgjigje për Koha.net.

Në anën tjetër, analisti Muhaxhiri mendon se GDP-ja do ta përkrahte një mocion të tillë.

“Grupi i Deputetëve të Pavarur është në filiza të subjektivizimit, prandaj do t’i duhet kohë dhe resurse që të konstituohet dhe konsolidohet në terrenin elektoral, në spektrin politik dhe në sferën publike. Ndonëse politikisht dhe ideologjikisht GDP-ja me siguri do ta përkrahte rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë, mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të reja nuk do t’i përshtatej në aspektin organizativ dhe logjistik”, tha Muhaxhiri.

Por, rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, nuk po e sheh të realizueshme Avni Arifi, shefi i Stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Për Koha.net, ai tha se madje kjo qeveri po konsolidohet çdo ditë më shumë.

“Kërkesa për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj është e pakuptimtë. Nuk duket askund në horizont rënia e qeverisë, përkundrazi po konsolidohet çdo ditë e më shumë”, tha Arifi.

Ai ka shtuar se janë duke punuar që t’i arrijnë votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Po shpresojmë, po besojmë dhe po punojmë që kjo të ndodhë”, tha ai.

Ndërkaq, edhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, për Koha.net ka thënë se zgjedhjet nuk ndodhin veç pse i kërkon opozita.

“Është normale që opozita të kërkojë zgjedhje, por zgjedhjet nuk ndodhin pse i kërkon opozita. Dihet saktë se në çfarë rrethanash shkohet në zgjedhje të parakohshme. Edhe kërkesa për rrëzimin e qeverisë, posaçërisht në këto demokracitë shqiptare është kërkesë e përhershme”, tha Nitaj.

Për demarkacionin, Nitaj u shpreh optimist. Ai beson se demarkacioni do të kalojë shpejt.

“Sa i përket demarkacionit, kam shpresë se do të kalojë shpejt. Është shumë e mundur që kjo të ndodhë edhe të martën që vjen, por nuk mund ta them me saktësi, sepse vota megjithatë është individuale”, përfundoi Nitaj.

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, po pritet të marrë një epilog në javën që po hyjmë, konkretisht ditën e martë, kur është caktuar seanca e Kuvendit të Kosovës për këtë çështje. Edhe liderët politikë tashmë janë deklaruar se gjatë javës së ardhshme do të arrihet të ratifikohet kjo marrëveshje.

Kujtojmë se për ratifikimin e kësaj marrëveshje nevojiten së paku 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, por deri më tani nuk është dhënë ndonjë shenjë se janë siguruar të gjitha votat.