Arbëri

Haziri: LDK e ka për obligim ‘rikthimin e komunave nga Lindja e Kosovës brenda kufirit të Kosovës’

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka përmendur, siç ka thënë ai, obligimet që i ka kjo parti ndaj vendit.

Haziri, që njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se ndër obligimet që ka kjo parti, siç e quan ai, partia më e madhe politike, është edhe “rikthimi i komunave nga Lindja e Kosovës brenda kufirit të Kosovës”.

“LDK, si partia më e madhe politike sot, ka për obligim të kujdeset që proceset politike të Kosovës të ecin përpara. Vota për demarkacionin me Malin e Zi, marrja datës për liberalizimin e vizave, integrimi i minoriteteve etnike në nivel komunal dhe të drejtat e tyre në pushtetin lokal e deri në asociacionin e komunave me shumicë serbe, dialogu për normalizim dhe rikthimi i komunave nga Lindja e Kosovës brenda kufirit të Kosovës, Ushtria e Kosovës në Forcë të Armatosur dhe integrimet euroatlantike, janë detyrë dhe amanet që LDK t’i shtyjë përpara për Kosovën”, ka shkruar Haziri në Facebook.