Arbëri

Kurteshi tregon se me kë do ta zëvendësojnë Ahmetin

Lëvizja Vetëvendosje do të dalë më e fuqishme se kurrë dhe të larguarit do të zëvendësohen nga një kuadër jashtëzakonisht i mirë, kurse, njerëzve të cilët ishin të hutuar nga ngjarjet brenda lëvizjes, po u kthehet besimi në VV-në.

Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, sipas të cilit të pakënaqurit që u larguan nga lëvizja, kanë një përkrahje simbolike nga qytetarët.

“Dorëheqja e Shpend Ahmetit është në vazhdën e atyre që po e quajnë vetveten si të pakënaqur. Në VV ka dalje, por nuk ka ndarje sepse përkundër faktit që numri i deputetëve dhe atyre që kanë marrë vota nga VV-ja dhe tani ia kanë kthyer shpinën, nuk është edhe aq i vogël. Numri i përkrahësve të tyre është simbolik. Lëvizja VV po funksionon normalisht, po i kryen të gjitha detyrat e planifikuara që më herët na ka ardhur keq që ata kanë dalë por tani ata kanë rrugën e tyre politike, ne e kemi tonën. Ne si lëvizje kemi pasur dalje që janë publike, por kemi dhe prurje të cilat janë jashtëzakonisht të mëdha dhe përkrahja nga të gjitha anët që dëshmon që Lëvizja VV në një të ardhme të afërt, do të thotë në zgjedhjet e para që do të vijnë, do të dëshmojë që do të jetë dhe më e fuqishme se që ka dalë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Të gjitha këto dalje, nuk do të ndikojnë në përkrahjen e madhe të qytetarëve të Kosovës për VV-në, të cilët lëvizjen e shohin si të vetmen shpresë për ta ndërruar gjendjen në të cilën është Kosova”, tha ai.

Kurteshi thotë se emri i Shpendit u rritë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se tani ai do të zëvendësohet me një kuadër jashtëzakonisht të mirë siç është Arben Vitia, i cili do ta udhëheq degën e Vetëvendosjes në Prishtinë.

“Emri i Shpendit është rritë me lëvizjen. Ju e dini që para lëvizjes Shpendi me partinë e tij të mëhershme, s’ka arritur me hy në Kuvend, me lëvizjen iu ka rritur përkrahja dhe tani Shpendi do të zëvendësohet nga një kuadër jashtëzakonisht i mirë. Si kryesi e kemi caktuar një person, i cili do të fillojë me udhëheq Prishtinën përkohësisht. E në momentin kur të hyhet në vota, ai mund të jetë kryetar i ardhshëm i Lëvizjes VV për Prishtinën e që është një personalitet shumë i pranueshëm për qytetarët e Prishtinës. Është njëri nga drejtorët më të suksesshëm që e ka pasur ndonjëherë ndonjë komunë e Kosovës, është Arben Vitia, që është shembull se si udhëheq një drejtori, siç është Drejtoria e Shëndetësisë, një njëri që është i pranueshëm për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ai mund të jetë, sepse tani po e udhëheq qendrën. Për shkak se kryetari ka dhënë dorëheqje dhe ne si kryesi, e kemi të drejtën statutore që ta caktojmë dikë që udhëheq deri në zgjedhje. Zgjedhjet për kryetar të qendrës në Prishtinë do të mbahen brenda 2,3 muajve të ardhshëm. Kryetar i qendrës ka qenë Yll Hoxha, i cili ka dhënë dorëheqje shumë herët, që s’ka pasur të bëjë me këtë grupin por tani qendra ka mbet pa kryetar dhe do të ketë zgjedhje për kryetar të VV-së në Prishtinë”, thotë ai.

Sipas tij, çfarë do të ndodhë me Shpendi Ahmetin dhe cilat do të jenë kërkesat e VV-së, vendos Këshilli i Përgjithshëm i partisë.

Kurteshi ndër të tjera thotë se edhe qytetarëve të hutuar po i kthehet besimi që kanë pasur në VV-në.

“Natyrisht që qytetarët njëherë nuk kanë qenë të informuar drejtë, është krijuar një huti, por tani kur ata e kanë kuptuar se motivi i daljeve ka qenë krejt për arsye të kontrollimit të VV-së, të atyre që s’e kanë përkrahjen e anëtarësisë, kërkesat kanë qenë kundër statutore dhe absolutisht të paarsyeshme, siç është kushtëzimi me kandidimin e Albin Kurtit për kryetar, qytetarët e kanë kuptuar se lëvizja ka qenë në pozicione të drejta, se kushtëzimet kanë qenë të pabazuara, kundër statutore, prandaj kjo po bënë që qytetarëve t’iu kthehet besimi në VV-në, edhe të atyre qytetarëve që për një moment kanë qenë të hutuar”, tha ai.

I quan të padrejta dhe akuza në adresë të Albin Kurtit për diktaturë. Ai thekson se një pjesë e të pakënaqurve të cilët e akuzojnë për diktaturë, kanë qenë bashkëpunëtore të ngushtë të Kurtit, e të cilët deri para disa muajve kanë folur fjalë të mira për të.

“Tani kur nuk i kanë realizuar projektet e tyre, kanë filluar ta thonë të kundërtën por e vërteta është se në VV ka demokraci, i lejohet e drejta e secilit me thanë mendimin e vet për të gjitha vendimet votojnë organet dhe askush në lëvizje si individ nuk mund ta thotë fjalën e fundit. Fjalën e fundit e thonë anëtarët e një trupe e cila voton, qoftë kryesia e lëvizjes, qoftë këshilli i përgjithshëm, qoftë ndonjë kryesi e qendrës, varësisht nga çka votohet”, tha ai.

E kontakti i vetëm me të pakënaqurit, sipas tij, janë vetëm takimet e rastësishme në korridoret e Kuvendit dhe me kaq përfundojnë kontaktet mes tyre.

“Kur takohemi rastësisht në korridoret e kuvendit, i themi njëri tjetrit mirëdita. Por aty përfundojnë kontaktet”, tha ai.