Arbëri

Besa Gaxherri përplaset me Konjufcën e Krasniqin për “maska e terrorizëm”

Descriptive Text

Një debat me tone të ngritura ka ndodhur në mes deputetes së LDK-së, Besa Gaxherri në njërën anë dhe shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe Frashër Krasniqi nga grupi i deputetëve të pavarur.

Shkas ishte bërë deklarata e deputetit Krasniqi, që kishte akuzuar Gaxherrin se i ka quajtur terroristë aktivistët e VV-së.

“Asnjëherë nuk i kam thënë dikujt terrorist. Si LDK kemi reaguar pas sulmit me zollë në Kuvendin e Kosovës, por them me bindje të plotë se personalisht as mendja nuk më ka shkuar se mundet një parti politike e Kuvendit të Kosovës të qëndrojë mbrapa këtij sulmi. Por kur kam parë bastisjen e zyrave tuaja nga Policia ku janë gjetur maska, koktej molotovi, e të tjera unë thjesht jam shokuar. Ju duhet të jepni llogari për atë punë. Çka i duhen një partie maskat?”, ka thënë Gaxherri, përcjell Koha.net. “Kam kërkuar që ta bëjmë Ligjin për parti politike, dhe të definojmë qartë se çka është parti politike e çka është organizatë terroriste. Vetura ime është gjuajt, e 800 euro kam paguar me pagë timen, asnjëherë nuk e kam drejtuar gishtin kah askush. Ju e drejtoni gishtin kah unë dhe më thonë se ju kam quajt terroristë. Jo zotëri nuk ju kam quajt, por kthjelluni dhe reflektoni siç keni nisur të bëni kohëve të fundit”, ka thënë Gaxherri.

Ka reaguar ndaj kësaj Glauk Konjufca, por ka shmangur diskutimin rreth maskave.

“Këtu ka qenë një proces gjyqësor ndaj një aktivisti të Vetëvendosjes për kinse sulm terrorist ndaj veturës së kryeministrit. Trimi i mbajti pesë muaj burg, e u lirua pas pesë muajsh pa asnjë provë”, ka thënë Konjufca.

“Deshe s’deshe je bërë pjesë e aparatit të kapjes së shtetit. Sa dush thuaj që s’ju thash terroristë kur para tre minutash na the terroristë, përmende maska e çka jo tjetër. Është edhe një rast tjetër, Policia ka bastisë shtëpi të aktivistëve, ka gjet armë që s’kanë të bëjnë me Vetëvendosjen dhe ka thënë ja shikoni”, ka thënë Konjufca.

Në anën tjetër Krasniqi ka cituar një deklaratë të Gaxherrit, ku, sipas tij, ajo kishte thënë se “Astri Dehari ka pasur akuzë për terrorizëm, e për këtë Vetëvendosja ka qenë e papërgjegjshme, se një i ri mund të gabojë por jo pa u shtyrë nga partia”.

Krasniqi tha se sipas Gaxherrit nuk kontestohej se aktivistët e kanë kryer aktin, vetëm çështja është se a kemi bërë të shtyrë nga partia apo e kanë bërë vetë.