Arbëri

Qendrës Studentore i dhurohen mbi 2 mijë libra

Përfaqësuesit e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim i kanë dorëzuar Qendrës së Studentëve 2 mijë libra me 500 tituj të ndryshëm të mbledhur nga donacionet e qytetarëve për bibliotekën e konvikteve.

Rron Gjinovci, përfaqësues i ORCA-së tha se për një muaj, nga qytetarët kanë mbledhur rreth 2 mijë libra të fushave të ndryshme.

Arsyeja pse kanë zgjedhur Qendrën e Studentëve për t’i dhuruar këto libra ishte koncentrimi më i madh i studentëve në këtë pjesë.

"Pas ardhjes së kësaj ideje tek ne, ne kemi parë mundësinë që me e bë një kampanjë që me mbledh libra për studentë dhe kemi menduar që vendi më i mirë për ta bërë këtë është Qendra e Studentëve ku janë të koncentruar me mijëra studentë edhe ku ka shumë nevojë për libra. Përgjigja ka qenë e jashtëzakonshme nga qytetarët e Republikës së Kosovës siç po e shihmi prapa nesh janë rreth 2 mijë njësi me diku më shumë se 500 tituj të të gjitha fushave që studiohen në Universitetin e Prishtinës", tha Gjinovci.

Gjinovci ka akuzuar universitetet se nuk po investojnë në qasjen informative të studentëve.

Sipas tij nga sot në bibliotekën e Qendrës së Studentëve do të jetë e koncentruar e gjithë puna e OJQ-ve të Kosovës sepse donatorë të shumtë ishin edhe OJQ-të që veprojnë në vend.

“Tani për herë të parë në Kosovë e kemi në një bibliotekë të koncentruar të gjithë punën e OJQ-ve pra të dhënat që janë bërë nga studimet e ndryshme dhe hulumtimeve të ndryshme në fushat arsimit, ekonomisë, politikës, studentët i gjejnë këtu dhe kanë me pas shumë më lehtë me i përfundua temat e tyre të diplomës dhe jo duke i kopjuar ato por duke i referuar ato”, tha ai.

Gjinovci tha se me këtë iniciativë i kanë dëshmuar Ministrisë së Arsimit se ata si institucione mund të bëjnë shumë për furnizimin e bibliotekave me libra.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta tha se librat e dhuruar do të ndikojnë në zgjerimin e njohurive për studentët.

"Fond i cili në Qendrën e Studentëve me thënë të drejtën është shumë modest dhe sado pak të ndikoj në kërkesën që e kanë studentët për literaturë për lexim dhe kjo kërkesë do të reflektohet edhe në zgjerimin e njohurive për studentët që janë konviktor dhe jo konviktor”, tha ai.

I lumtur për këto libra u shpreh studenti i Fakultetit Juridik, Besart Tasholli i cili tha se këto libra kanë qenë të nevojshëm për studentët dhe tani ka mbetur vetëm që studentët për lexojnë.

"Kjo është shumë e rëndësishme i pashë disa nga titujt të librave që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm që unë personalisht nuk kam mundur t' i gjej këtu në Kosovë dhe jam detyruar me i kërkua disa prej Tiranës disa me i përkthyer nga gjuhët e huaja është jashtëzakonisht kjo. Mendoj që studentët duhet të vijnë dhe të vizitojnë, ka mjaft literaturë dhe tituj vetëm duhet me lexua tash", tha Tasholli.