Arbëri

Gjenerallejtënant Rama: Kemi ende punë

Sot në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë, u zhvillua ceremonia e ndërrimit të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së.

Pas leximit të dekret-ligjit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për emërimin e gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandant i Komandës së Forcave Tokësore dhe zëvendës komandant të Forcës së Sigurisë së Kosovës, filloi ceremonia e ndërrimit të Komandës së Forcave Tokësore nga gjeneral majori Gëzim Hazrolli te gjeneral brigade Enver Cikaqi.

Zëvendësministri i MFSK-së, Burim Ramadani, tha se FSK-ja është institucioni më i besueshëm në Kosovë, dhe kjo është një arritje e madhe falë përkushtimit të pjesëtarëve të saj, trasnmeton kp.

“FSK-ja është fytyra e Kosovës së re, është shembulli se si të rinjtë e të rejat e duan vendin e vet dhe duan t’i shërbejnë Kosovës. Nëse ëndrra e gjeneratave të tëra ka qenë liria dhe shteti i Kosovës, ëndrra që po e jetojmë sot është që flamuri i Kosovës të jetë bashkë me të NATO-s, në kontributin për sigurinë kudo nëpër botë”, tha ai.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se FSK-ja gjatë viteve që lamë pas ka ndërtuar dhe zhvilluar kapacitetet e veta duke bërë tranzicionin nga konsumues në prodhues të sigurisë.

“Ne vazhdojmë të ofrojmë gatishmërinë tonë që me këto kapacitete të kontribuojmë në ngritjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë. Edhe këtë vit FSK-ja është vlerësuar si institucioni më i besueshëm në vend. Këtë besim të qytetarëve e kemi arritur falë angazhimit dhe përkushtimit profesional duke qenë gjithmonë afër me qytetarët dhe duke iu afruar atyre një ambient të sigurt. Kemi arritur shumë suksese, mirëpo kemi ende punë për të bërë”, tha gjeneral Rama.

Ndërsa, gjeneral majori Gëzim Hazrolli, tha se ne duhet të ndihemi mirë me të arriturat, por nuk guxojmë që të vetëkënaqemi dhe ta anashkalojmë rrugëtimin e nisur, për ta bërë realitet dhe krenar çdo qytetar të vendit tonë me FSK-në.

Në fund u bë dorëzim-pranimi i detyrës së komandantit të KFT-së, nga gjeneral majori Gëzim Hazrolli tek gjeneral brigade Enver Cikaqi.