Në fund të vitit përfundon autostrada për në Shkup, thotë Lekaj

Në fund të vitit përfundon autostrada për në Shkup, thotë Lekaj

13 mars 2018 14:40

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti sot në një takim Konsullin e Nderit të Kosovës në Vjenë të Austrisë, David Ungar-Klein.

Kreu i MI-së tha se Austria na shërben si model se si duhet të ndërtojmë rrugët tona, t’i mirëmbajmë, për arsye se sa herë që shkon në Austri, ka zhvillime pozitive në infrastrukturë.

Më pastaj, Lekaj e njoftoi bashkëbiseduesin për projektet e shumta të cilat janë duke u realizuar në Kosovë nga Ministria e Infrastrukturës.

“Autostrada në drejtim të Shqipërisë tashmë është e përfunduar. Në fund të këtij viti përfundojnë punimet për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, pastaj është kryer procesi i fizibilitetit dhe janë duke vazhduar procedurat për projektin e ndërtimit të Autostradës me Serbinë si dhe fillimin e punimeve për rrugën me Malin e Zi, si dhe për projektet tjera të rëndësishme për vendin tonë si ndërtimi në drejtim të Mitrovicës që pritet të fillojë dhe punimet të përfundojnë brenda dy viteve. Do të vazhdohet me projektin e rrugës për Pejë si dhe pritet fillimi i punimeve për Autostradën e Dukagjinit, që i lidh të gjitha qytetet, me ç‘rast përfundohet edhe qarkorja e autostradave dhe këtu përfundon realizimi i ndërtimit të autostradave. Jemi të përkushtuar që brenda 4 viteve rrugët tona të jenë sipas standardeve evropiane si dhe të përfundohen autostradat e që me këtë do të ketë lidhje më të mirë të qyteteve të Kosovës, por edhe me shtetet rajonale”, vlerësoi Lekaj.

“Donacionet evropiane kanë munguar në mbështetje të Kosovës sa i përket ndërtimit të rrugëve dhe të gjitha projektet e tilla janë përfunduar nga buxheti i Kosovës. Investimet në të ardhmen në infrastrukturën rrugore do të përqendrohen edhe në sinjalistikën e rrugëve, ndriçimit dhe sigurisë së qytetarëve”, theksoi ministri Lekaj.

Gjithashtu nga ministri Lekaj u tha se si projekte të cilat do të implementohen në të ardhmen janë edhe ato për rikonstruktimin e hekurudhave, që Kosovën do ta lidhin me shtetet fqinje, por dhe me ato evropiane, pasi që kemi një fond evropian në vlerë prej 200 milionë eurove.

Ministri Lekaj theksoi se sa i përket mbështetjes për ndërtimin e rrugëve, nuk ka pasur mbështetje nga fondet evropiane. Ndërsa, sa i përket aviacionit civil, investime pritet që të bëhen në Aeroportin e Gjakovës. “Po ashtu jemi duke punuar që të zgjidhim çështjen e transportuesve lidhur me licencat dhe tejkalimin e problemeve që po na paraqiten me Serbinë dhe vendet tjera për tahografët”, vijoi ai.

Sipas Lekajt, si temë e cila ka rëndësi të madhe që të diskutohet është njohja e patentë-shoferëve nga ana e Austrisë dhe shteteve tjera evropiane, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, por duke u bazuar në ligjet dhe rregullat e këtyre shteteve. Andaj ai kërkoi që njohja e patentë-shoferëve nga shteti i Austrisë të bëhet sa më parë.

Ndërsa, Konsulli i Nderit i Kosovës në Vjenë, David Ungar-Klein, theksoi se Austria edhe në të ardhmen do të jap mbështetjen e saj për Kosovën. Me këtë rast ai e ftoi ministrin Lekaj që të marrë pjesë në konferencën për transportin, e cila do të mbahet në nëntor të këtij viti në Autstri.

Po ashtu ftesë ministrit Lekaj i është bërë edhe për pjesëmarrjen e tij në Kongresin e Vjenës që do të mbahet janarin e vitit të ardhshëm, ku pritet që të diskutohet për transport dhe energji.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme