Arbëri

Vetëm 9 % e ekonomive familjare kanë implementuar masa për efiçencë të energjisë

Descriptive Text

Banka Evropiane për Zhvillim Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka lansuar një program të ri në Kosovë të quajtur Mekanizimi për financimin e ekonomisë së gjelbër, i cili synon dhënien e kredive për amvisëritë për kryerjen e përmirësimeve që ndikojnë në rritjen e efiçencës së energjisë.

Linja kreditore në shumën prej 8.5 milionë euro janë nënshkruar me tri institucione financiare në Kosovë, Bankën TEB, KRK dhe AFK-në.

Natalya Apostolova , kryesuese e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se BERZH-i, BE dhe Austria janë duke punuar së bashku që të ndihmojnë Kosovën që të zhvillojë të ardhmen më të gjelbër.

Ekonomia e gjelbër sipas saj dhe programi për financimin e saj është program rajonal që mbulon 6 vende në Ballkanit Perëndimor, i cili do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës së energjisë në sektorin e banimit.

“Në Kosovë vlerësohet së mesatarisht vetëm 9 % e ekonomive familjare kanë implementuar masa për efiçencë të energjisë . Prandaj, potenciali për të përmirësuar efiçencën e energjisë është e jashtëzakonshme. Kosova është anëtare e komunitetit të energjisë dhe si e tillë është e përkushtuar që të ulë mbështetjen në energjinë e importuar dhe me këtë të rrisë efiçencën e energjisë. Programi për financimin e energjisë së gjelbër kombinon financimin nga BERZH me ekspertizë teknike dhe stimulim financiarë për të mbështetur efiçencën e energjisë. Programi rajonal do të ofrojë 85 milionë euro në formë të kredisë nga BERZH-i kombinuar me më shumë se 20 milionë të financimit në formë të granteve”, tha Apostolova, raporton Kosovapress.

BERZH, përmes një deklarate për media, bën të ditur se ka lancuar një program të ri në Kosovë të quajtur Mekanizmi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (Green Economy Financing Facility - GEFF), që ka për qëllim dhënien e kredive për amvisëritë për kryerjen e përmirësimeve që ndikojnë në rritjen e efiçencës së energjisë.

Linjat kreditore në shumën prej 8.5 milionë euro janë nënshkruar me tri institucione vendore financiare, Banka TEB në Kosovë dhe institucionet mikro-financiare Kreditimi Rural i Kosovës (KrK) dhe Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK), si pjesë e programit të përgjithshëm të GEFF prej 85 milionë euro që vepron në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën lancuese të mbajtur sot në Prishtinë janë mbledhur së bashku palët e interesit në GEFF, përfshirë donatorët, zyrtarët vendorë shtetërorë, institucionet financiare partnere, furnizuesit dhe prodhuesit e teknologjive të gjelbra për sektorin e banimit.

GEFF në Kosovë implementohet në kuadër të Programit Rajonal për Efiçencën e Energjisë për Ballkanin Perëndimor (Regional Energy Efficiency Programme - REEP), që financohet nga BE dhe implementohet në bashkëpunim me sekretarin e Komunitetit të Energjisë. Në total programi REEP do të përfitojë nga 135 milionë euro për investime në sektorin rezidencial, mbështetur nga 30 milionë euro financim nga BE, 1.8 milion euro nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe 3.3 milionë euro nga Ministria Federale e Financave e Austrisë.

Modeli i BERZH për efiçencë të energjisë është duke operuar në Kosovë që nga viti 2011 në kuadër të Projektit për Energji të Qëndrueshme në Kosovë (KoSEP). KoSEP, që gjithashtu ka përfituar nga financimi i BE-së, ka synuar implementimin e investimeve në efiçencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe në sektorët e amvisërisë.

Në kuadër të REEP, BERZH ka mbështetur Kosovën për përmirësimin e ligjeve, politikave dhe standardeve që ndihmojnë në krijimin e tregut të bazuar në kërkesë për efiçencë të energjisë në ndërtesa. Në të ardhmen, Banka do të intensifikojë përpjekjet për rritjen e investimeve në efiçencë të energjisë në sektorin e biznesit dhe atë të banimit.

Përmes programit GEFF, familjet Kosovare do të kenë mundësi që të marrin kredi nga institucionet financiare partnere për financimin e zgjidhjeve për rritjen e efiçencës së energjisë, duke përfshirë dritaret me xhama të dyfishtë, bojler me efikasitet të lartë ose izolim për shtëpi. Këto investime do t’u ndihmojnë amvisërive që jo vetëm të rrisin efiçencën e energjisë, por gjithashtu të ulin emetimin e gazrave serë dhe të përmirësojnë standardin e tyre të jetesës.

Familjet që investojnë në këto teknologji për rritjen e efiçencës së energjisë, kanë të drejtë të aplikojnë për një grant nga BE për financimin e deri në 20 për qind të vlerës së investimit të tyre. Kompanitë që prodhojnë dhe instalojnë këto teknologji për efiçencë të energjisë, siç janë dritaret dhe bojlerët, gjithashtu kanë qasje në financim në kuadër të programit GEFF. Gjithashtu, në kuadër të këtij mekanizmi është përfshirë edhe asistenca teknike, duke përfshirë auditimet e energjisë për renovimin e ndërtesave shumëkatëshe të banimit.

Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://ebrdgeff.com/kosovo/