Arbëri

Krusha kërkon drejtësi, e zhgënjyer në institucionet e Kosovës

Descriptive Text

18 vjet më parë ndodhi njëra ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, në fshatin Krushë të Madhe paramilitarë, policë dhe ushtarë hynë në këtë fshat dhe rrëmbyen burrat dhe djemtë për t’i vrarë, e më pas edhe djegur kufomat e tyre.

18 vjet pas, Krusha e Madhe ka ndryshuar. Fëmijët e mbetur jetimë janë rritur, por vuajtjet e tyre dhe të nënave të tyre të mbetura të veja janë të rënda. Ato kanë hequr të zitë e ullirit për të mbajtur shtëpitë e tyre pa burra.

150 gra të veja të Krushës janë kryefamiljare, ndërsa 521 fëmijë mbetën jetimë duke u rritur në dashurinë e nënave dhe gjysheve të tyre.

Shumica e trupave të vrarëve të Krushës janë gjetur dhe janë rivarrosur por ende janë edhe 64 që nuk dihet për fatin e tyre.

Për këtë gratë dhe fëmijët e Krushës janë të zhgënjyer në institucionet e vendit për siç kanë thënë neglizhencën e tyre për të bërë dike më shumë për familjarët e të zhdukurve.

Kadri Dellova, aktivist i këtij fshati tha për KosovaPress se institucionet është dashur që të bëjnë më shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sipas tij institucionet kanë bërë pak edhe në ndihmë të grave të veja dhe fëmijëve jetimë të këtij fshati.

“Më 25 dhe 26 mars forcat serbe të ndihmuar edhe nga paramilitarët serb dhe serbët lokal të Hoçës së Madhe të Rahovecit në Krushë të Madhe vranë dhe dogjën 241 persona ku shumica ishin fëmijë dhe gra. Deri sot nga rrëmbimi që kanë bërë forcat serbe i kemi të pagjetur edhe 64 ku në mesin e tyre është edhe profesor Ukshin Hoti i cili u zhduk në burgun e Dubravës me 16 maj 1999”, tha Dellova.

Me këtë rast Dellova, kërkoi nga institucionet që të bëhet diçka më shumë për fatin e atyre që ende figurojnë të zhdukur.

Njëri nga të zhdukurit e këtij fshati është edhe Ukshin Hoti. Në përkujtim të të vëllait dhe të atyre që u vranë dhe u masakruan në marsin e vitit 1999 ishte edhe e motra e tij, Resmija.

Ajo tha për KosovaPress se ndihet krenare me veprën dhe virtytet e të vëllait por që i mungon shumë pasi që ai ishte frymëzuesi për të dhe familjarët tjerë që të vazhdojnë me jetën.

“Vëllai im nuk ka qenë jo vetëm si ideolog i i këtij çlirimi të Kosovës mirëpo ai ka qenë edhe më përpara gjithmonë frymëzues i joni për rrugën që e kemi fillu ne dhe mos ta ndalim deri në fund. Mendoj se diku gjendet, por mendoj se këto janë vetëm ëndërrimet e mia”, tha Resmije Rugova.

Ndryshe masakra në Krushë të Madhe konsiderohet njëra ndër masakrat më të mëdha në Evropë. Për këtë masakër dhe masakrat tjera që kanë ndodhur në Kosovë ende askush nuk është vënë para drejtësisë. E krushjanët nuk do të ndihen të qetë derisa ata që vranë dhe zhdukën më të dashurit e tyre ta marrin dënimin e merituar.