Në mes të ratifikimit të demarkacionit e zgjedhjeve të reja

Në mes të ratifikimit të demarkacionit e zgjedhjeve të reja

11 mars 2018 20:14

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga analistë të çështjeve politike vlerësohet të jetë jetik për Qeverinë Haradinaj. Kjo çështje, thonë ata, duhet të përmbyllet sa më shpejt, në të kundërtën të shkohet në zgjedhje të reja.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka as edhe një kuptim që kjo çështje të shtyhet më shumë.

“Në fakt, prej deklaratave të politikanëve vendimmarrës në Kosovë, si të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, krijohet përshtypja se tani ekziston një marrëveshje me Listën Serbe për votat e munguara, prandaj nuk ka asnjë kuptim që ky proces të vazhdojë përtej javës së ardhshme”.

“Nëse, eventualisht, nuk miratohet demarkacioni, nuk ka asnjë kuptim që kjo Qeveri të qëndrojë dhe duhet të shkohet në zgjedhje të reje. Çështja është jetike për qeverisjen Haradinaj, që të ratifikohet ky demarkacion dhe të procedohet me agjendën evropiane”, thotë Muhaxhiri.

Zgjedhje të reja ka paralajmëruara edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të mbajtur gjatë kësaj jave, ka thënë se derisa seancat e Kuvendit të Kosovës nuk po zhvillohen normalisht dhe në të shumtën e rasteve shumica parlamentare nuk po merr fare pjesë në votime, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Katër seanca parlamentare janë të hapura në pamundësi për t’i përmbyllur për shkak se koalicioni qeverisës është i shpërbërë. Në këtë situatë kur shumica parlamentare braktis Kuvendin, zgjedhjet e reja janë zgjidhje e vetme për të dalë nga kjo situatë. Pas votimit të demarkacionit, Qeveria duhet të japë dorëheqje, Parlamenti duhet të shpërndahet dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe të formohet një shumicë e re parlamentare që udhëheq Kosovën në integrimet euroatlantike”, ka thënë Hoti.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që nuk arriti të përmbyllet gjatë kësaj jave, ashtu siç ishte paralajmëruar nga liderët politikë të vendit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po pritet të marrë një epilog në javën që po hyjmë.

Liderët politikë tashmë janë deklaruar se gjatë javës së ardhshme do të arrihet të ratifikohet kjo marrëveshje.

Koalicioni qeverisës në tri seanca parlamentare nuk kishte arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për ta ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

Për ratifikimin e kësaj marrëveshje nevojiten së paku 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se për të siguruar edhe dy apo tri votat për të ratifikuar demarkacioni, do të kërkohet një marrëveshje shumë më e madhe si dhe do të duhet të bëhen kompromise.

“Në bazë të të gjitha indikacioneve, përfundimi i procesit të miratimit të demarkacionit do të jetë një marrëveshje shumë më e madhe dhe shumë më komplekse se sa që është pritur. Është e pritshme që të përfshihen edhe faktorë shumë të rëndësishëm. Pra, do të duhet të bëhen shumë kompromise dhe për këtë arsye edhe faktorët e rëndësishëm politikë do të përfshihen”, vlerëson Muhaxhiri.

Ditë më parë në një reagim të publikuar nga Lista Serbe, thuhet se për këtë subjekt politik tema e demarkacionit nuk ekziston dhe nuk paraqet kurrfarë interesi.

Sipas këtij reagimi, i cili u është drejtuar medieve, çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet nga partitë shqiptare të Kosovës.

Por, për analistin e çështjeve politike, Ramush Tahiri, ratifikimi i demarkacionit nuk mund të arrihet pa votat e Listës Serbe. Ai në një prononcim dhënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se demarkacioni nuk mund të kalojë pa marrëveshje me deputetët e Listës Serbe.

“Pa marrëveshje me Listën Serbe nuk mund të kalojë demarkacioni. Lista Serbe, edhe pse është pjesë e koalicionit, sheh interesin e saj partiak dhe e ndërlidh me Asociacionin e komunave (me shumicë serbe), por edhe me situatën politike në Serbi dhe me pozitën e vetë presidentit Aleksandar Vuçiq në dialogun e Serbisë me Kosovën dhe me atë që është një projekt i Serbisë për Kosovën që është paralajmëruar se deri në muajin prill do të nxirret një propozim nga presidenti Vuçiq”, ka thënë Tahiri.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza. Zyrtarë nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar që institucionet të mos vonojnë me përmbushjen e kritereve, nëse synojnë liberalizimin e vizave në një afat më të shpejtë./REL

Komentet

Shto koment

Të ngjashme