Arbëri

Elbasani përgatitet për festën tradicionale të Ditës së Verës

Panairi i Librit hapi zyrtarisht aktivitetet me rastin e Ditës së Verës në Elbasan. Një zgjedhje e menduar mirë ku qyteti i dijes dhe kulturës, feston përmes librit.

Ky është i dyti vit që Panairi i Librit organizohet në Elbasan me rastin e Ditës së Verës ndërkohë që bashkë me natyrën duket që i gjithë qyteti i është dorëzuar me kënaqësi stinës së bukur, raporton TopChannel.

Duke e lidhur panairin me traditën kulturore të Elbasanit, shtëpitë botuese e shohin si një mundësi të mirë për promovimin e titujve të rinj.

Ndërkohë Bashkia e Elbasanit ka publikuar agjendën e aktiviteteve të cilat nisën në 10 Mars dhe do të përfundojnë mesditën e 14 Marsit kur familjet elbasanase dhe miqtë do tu drejtohet vatrave familjare dhe ambienteve festive.

Përveç aktiviteteve kulturore dhe koncertit të madh festiv, edhe i gjithë kabineti qeveritar ka parashikuar të jetë në Elbasan me rastin e ditës së verës. Mbledhja e qeverisë do të zhvillohet në 13 Mars në Elbasan, për të vijuar më pas me aktivitetet e 14 Marsit.