Arbëri

Kurti për dorëheqjet: Keqardhje, por në VV s’ka ndarje

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur gjatë ditës së sotme mbledhjen e rregullt me kryetarë dhe sekretarë apo administratorë të Qendrave të Lëvizjes.

Kjo mbledhje pati për qëllim riorganizimin e Lëvizjes nëpër Pikat e Qendrat ku u tha se do të nis procesi zgjedhor nëpër struktura me qëllim të kompletimit të të gjitha organeve në ato Qendra.

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, tha se populli nuk është i dëshpëruar por është i brengosur me situatën rreth Lëvizjes për shkak të goditjeve nga brenda, mirëpo pikërisht për këtë ai është edhe më i gatshëm të ndihmojë, gjë që, siç tha ai, “po reflektohet në anëtarësime të reja”.

Teksa u diskutua për dorëheqjet nga Lëvizja, përveç tjerash, Kurti tha: “Nga Lëvizja Vetëvendosje ka disa dorëheqje dhe dalje, që janë për keqardhje dhe të gabueshme, por në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka as ndarje dhe as ndalje”.

Kurti tha se Vetëvendosje duhet të shërbejë si infrastrukturë për qytetarët që i duan ndryshimet progresive e si shans për aktivistët që të lidhen edhe më ngushtë e të bashkëpunojnë edhe më afër me qytetarët.

“Si udhëheqës lokalë të Lëvizjes Vetëvendosje e keni shumë më të lehtë të takoni qytetarë të lagjes apo fshatit, njerëzit kyçë në komunitetin tuaj dhe të gjithë t'i organizoni e aktivizoni për të mirën e përgjithshme”, u shpreh Kurti.

Kujtojmë se kohës së fundit, nga postet kyçe në Lëvizjen Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje një numër i konsiderueshëm i anëtarëve, dorëheqje që kulmuan me atë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Gjatë ditës së sotme, dorëheqjen e paraqiti edhe deputetja Besa Baftiu. Ajo njoftoi se ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e saj brenda Lëvizjes.

Ajo ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i Kryetares së Qendrës së Lëvizjes në Gjilan dhe nga Këshilli i Përgjithshëm.