Krasniqi thotë se Kurti nuk e toleron mendimin kritik, e quan të pandershme kërkesën që Ahmeti të japë dorëheqje

Krasniqi thotë se Kurti nuk e toleron mendimin kritik, e quan të pandershme kërkesën që Ahmeti të japë dorëheqje

08 mars 2018 20:32

21:30 - Ish-zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se Albin Kurti nuk e toleron mendimin kritik.

“Për mua është shqetësuese nëse brenda një qeverie kemi një mënyrë të menduarit e cila nuk toleron për asnjë moment mendimin ndryshe, mendimin kritik. Kam shpresu dhe vazhdoj të shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje do ta gjej kurajën të reflektojë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka folur edhe për akuzat që po u bëhen nga ish-bashkëpartiakë të tyre nga Vetëvendosje.

“Me dashtë me shkatërru Lëvizjen Vetëvendosje e kishim bërë para zgjedhjeve e jo pasi që ja fala 13 vjet të jetës time, pjesën më të mirë të rinisë, pasi i futa gjithë familjen time në tërë ato vuajtje”, shtoi Krasniqi.

“Po na thonë edhe se jemi të manipuluar. Nëse qenkemi kaq lehtë të manipulueshëm pse s’u manipuluam prej z. Kurti”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai foli edhe për dorëheqjen e Shpend Ahmetit dhe kërkesat që ai ta dorëzojë edhe postin e kryetarit të Prishtinës.

Sipas tij, një kërkesë për dorëzim posti duhet të bëhet duke u bazuar në projekte e jo në përkatësinë partiake.

“Z. Shpend Ahmetin e kanë votuar shumë njerëz për shkak të Lëvizjes por edhe shumë si individ. Dorëheqja e tij duhet të matet me realizmin e projekteve por jo të kthehet në inat, deri sot po të përkrahi ndërsa tash do të të bllokojë vetëm pse ke dhënë dorëheqje prej Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Se brenda Lëvizjes Vetëvendosje nuk lejohet mendimi kundër, sipas tij, vërtetohet edhe me ndryshimin e Konjufcës dhe akuzat që po i bëhen Shpend Ahmetit.

“Glauk Konjufca për me mbrojt Lëvizjen Vetëvendosje iu desh me ra në një nivel të ulët. Kjo e ka vërtetu. E vërtetoi edhe kjo me Shpend Ahmetin”, ka thënë ai.

Krasniqi nuk e ka mohuar se shpejt do të mund të krijohet një subjekt i ri politik nga të dorëhequrit nga Vetëvendosje. Ai ka thënë se nuk do ta lë politikën, por ka thënë se vendimi për krijimin e një subjekti të ri është çështje e përbashkët.


Krasniqi u habit nga paraqitja e Konjufcës në Rubikon, thotë se VV po bëhet si PDK-ja

21:08 - Ish-zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi sot një ndër të dorëhequrit nga kjo parti, në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se pakënaqësia vjen në dallimet konceptuale.

Ai i konsideron të ulëta komentet të cilat i lidhin ata me SHIK-un e Serbinë.

Duke e komentuar debatin mes Dardan Molliqajt e Glauk Konjufcës, Krasniqi tha se ndonëse Konjufca që në fillimet e tij ishte pikë reference, ne debat ishte i papërgatitur.

“Dihej se anëtarësia do ta votojë Kurtin për kryetar, mirëpo ne nuk kemi qenë dakord me atë platformë. Unë kam menduar që me largimin tonë do të bëhet një presion më i madh por kjo nuk po ndodh”, shtoi tutje ai.

Ai përmendi edhe deklaratën e aktivistit të akuzuar bashkë, Egzon Haliti i cili grupin e dorëhequr e quajti “jashtëqitje”.

“Shumë më e shëndetshme për Lëvizjen Vetëvendosje do të ishte që ta pranonte se diçka nuk është mirë. Më vjen keq për fjalorin mirëpo sot një ndër aktivistët kishte thënë se kjo është një jashtëqitje, proces që duhet të ndodh”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, zgjidhja për problemin e krijuar nuk po kërkohet prej të gjithëve njësoj.

Krahasimet e linçimet që sot po i bëhen atyre që dhanë dorëheqje nga Lëvizja, sipas Krasniqit, po i bën ata të duken si PDK.

“Visarit po i thonë kamerier, Shpendit për coca colën derisa Dardanit po i përmendet foto me Hashim Thaçin”.


Krasniqit i ka mbetur hatri pse Kurti s’e vizitoi në burg, thotë se ai s’bën gjëra rastësisht

20:50 - Frashër Krasniqi, deputet në Kuvendin e Kosovës, në letrën e tij që dërgoi nga burgu për të kumtuar dorëheqjen nga Lëvizja Vetëvendosja shtoi edhe një paragraf i cili rrëfeu mungesën e vizitave të kreut të LVV-së dikur bashkëpunëtor i tij, Albin Kurti.

Ndonëse Krasniqi nuk hedh dritë në asnjë prej argumenteve të mundshme se pse mund të ketë ndodhur diçka e tillë, ai thotë se i është dukur e çuditshme pasi siç tha ai “Albini pak e hiç bën diçka rastësisht”.

“Asnjëherë nuk e kam marrë vesh pse, nuk e kam pyetur, sepse gjatë arrestit s’kam pasur rast. Nuk ka qenë kjo çështja më e rëndësishme që të merrem me të, mirëpo kam thënë se pse nuk po vjen. Për çka kam pas dhe vazhdoj të kem respekt për Albinin është niveli i tij i intelektualizmit. Por me sa e njoh unë Albinin, pak e hiç gjëra bën rastësisht”, ka thënë ai.


Krasniqi: Politika përdori një grup brenda Policisë për të montuar akuzën për terrorizëm

Klasa politike përdori një grup brenda Policisë së Kosovës për ta çuar përpara akuzën për terrorizëm karshi aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Në rrëfimin e parë të tij për një medium, Frashër Krasniqi në Rubikon të KTV-së ka thënë se të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të rastit kanë treguar se e gjitha ishte një skenar i organizuar mirë.

Sipas tij, çdo aktivist i përfshirë ka qenë krejt në mënyrë të rastësishme pasi veç janë marrë aktivitetet e tyre ditore dhe janë lidhur kinse me një akt sulmi.

“Këta i kanë marrë aktivitetet ditore të secilit prej nesh, që realisht janë normale mirëpo veç janë kanë shtu këtë elementin kriminal”, ka thënë ai.

“Beqir Kalludra ma ka caktuar masën më të madhe të dënimit, prej 8 vitesh sepse më ka thënë për shkak se ka qenë personi që ka folur më së shumti gjatë fushatës zgjedhore”, shtoi tutje Krasniqi.

Ish-zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje beson se për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës ishte çdo gjë e montuar.

“Unë besoj se ky shtet monton raste”, shtoi Krasniqi. “Ka pas edhe keqinterpretime të gjërave që janë gjet, nuk e kemi mohu që ka pas gazlotsjellës, i kemi përdor publikisht edhe në aktivitete në Kuvend, ka pas gaz-maska të cilat kanë qenë për t’u mbrojtur prej gazit të përdorur por jo maska të tjera. Me sa e di unë, maska për maskim nuk ka pas. Mendoj që ideja ka qenë që gjithmonë të paraqiten shumë gjëra, paramendojeni aty ka pas miell dhe është paraqit si i dyshimtë e në të gjithë e dimë se në çka aludohet kur thuhet miell i dyshimtë”, u shpreh Krasniqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

liki12/03/2018 11:04

Hajt se ju kan pagu juve per ta perqa vetvendosjen por kot e keni.

Dini4512/03/2018 13:43

Marredhenie jo vetem te tendosura, brendaperbrenda Subjektit politik, po edhe keqveprime te uleta, nderkohe qe askush nga te dy krahet nuk u prononcua me korrektesi para elektoratit per demet qe iu bene qytetareve dhe vet Republikes bashkarisht. Krahu i te pakenaqurve vazhdimisht u ankua ne autokracine e z.Kurti dhe servilizmin e te tjereve rreth "idhullit", kurse krahu tjeter u zhyte edhe me thelle duke i kualifikua me epitetin "tradhetare". Qe te dy krahet nderkaq per ta shperfaqe "patriotizmin" e "fyenin" njera tjetren me shprehjet "shikista" apo "pedekeista" . Asnjehere por, nuk u vot mendja, se do ishte dashte qe te tjeret te jene te fyer me krahasimin.

Shto koment

Të ngjashme