Arbëri

Çfarë thotë sot Thaçi për Rugovën e çfarë thoshte më 1998

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka treguar se çfarë mendon për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, Thaçi ka thënë se Rugova ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, andaj e cilëson si njeri të vlerave dhe kontribuues.

“Ju e shihni që në zyrën time e kam fotografinë e Presidentit Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacollit, Presidentes Jahjaga. Rolin e secilit e vlerësoj. Presidenti Rugova ka qenë Presidenti i parë i Kosovës së para pavarësisë, i angazhimeve, për padëgjueshmërinë e qytetarëve ndaj Serbisë, i kultivimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe botën perëndimore, dhe në të njëjtën kohë besoj që ka dhënë kontributin e vet, brenda mundësive dhe potencialeve të tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj, për mua mbetet një personalitet i njohjes së vlerave dhe kontributit për lirinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse do ta kishte të njëjtin sukses si lider po të ishte Rugova gjallë, Thaçi është shprehur:

“Unë nuk mund të paragjykoj se si do ishte nëse Presidenti Ibrahim Rugova nuk do të vdiste, sikur që nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas Hashim Thaçit”.

Por, dikur, ish-lideri i UÇK-së, Hashim Thaçi, e cilësonte krejtësisht me fjalë tjera presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Më 16 maj të vitit 1998, përmes një marrëveshjeje të arritur nga SHBA-ja, presidenti Rugova ishte dërguar në Beograd për të takuar kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, Pas këtij takimi, Thaçi kishte lëshuar një deklaratë për media, duke e gjykuar ashpër këtë takim, duke thënë se takimi, “vullnetar apo i imponuar, po e shkatërron seriozisht kauzën kombëtare”.

“Udhëtim ii Rugovës në Beograd dhe shtrëngimi i duarve me kreun e kriminelëve Millosheviq është sulm direkt kundër luftës së popullit të Kosovës, kundër NATO-s, kundër SHBA-ve dhe kundër Grupit të Kontaktit”, pati deklaruar Thaçi në cilësinë e liderit të UÇK-së, raporton Koha.net.

Ai kishte paralajmëruar se “veprime të tilla anti-kombëtare të zoti Rugovës do të dënohen ashpër”.

Kurse zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, pati deklaruar se beson që Rugova është detyruar t’i bëjë ato deklarata.

“Por nëse është deklaruar me vetëdije, ai ka kryer një akt tradhtie kundër kombit”, pati deklaruar Krasniqi.